“Pas hapjes së kufinjve, në pikën kufitare në Bllacë, numri i udhëtarëve që shkojnë drejt Maqedonisë së Veriut është i vogël, pasi udhëtojnë vetëm ata të cilët kanë nevoja”

Po ashtu i vogël është edhe numri i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët udhëtojnë drejtë Kosovës, madje gjatë kohës kur ekipi ynë qëndroi në këtë pikë kufitare, nuk kaloi as edhe një veturë e vetme.

Komandanti i pikës kufitare të Bllacës, Besim Asani na informoi se lëvizja e qytetarëve ka qenë më e theksuar në orët e hershme të mëngjesit. Ai tha se qytetarët janë kryesisht të njoftuar me masat e reja, ndërkohë që nuk përjashtohen rastet kur u është dashur të kthejnë ata qytetarë, të cilët të painformuar janë nisur pa poseduar testin për koronavirus.

Qytetarët e Kosovës që ishin nisur drejt Maqedonisë së Veriut, thanë për televizionin Shenja, se kryesisht janë të njoftuar me protokollet dhe i kanë marrë masat e nevojshme, përpara se të nisen për në Maqedoninë e Veriut. Njëri qytetar ishte nisur drejt vendin tonë, për të kryer kontrolle mjeksore.

Qytetar
“Sigurisht informatat i kemi të gjitha, kemi marrë masa, përmes ambasadës së Kosovës na kanë mundësu me shku në spitalin Sistina, me kry një kontroll mjekësore edhe mu kthy.”

Qytetarët e tjerë të anketuar ose posedonin testin për koronavirus, ose vetëm po udhëtonin tranzit nëpër Maqedoninë e Veriut. Megjithatë disa gjëra vazhdojnë t’i kenë të paqarta…

Qytetar
“Unë i Kosovës, gruja e Maqedonisë… (Sot u vendos që të hapen kufijtë, a i keni bërë testet, a jeni mirë të informuar se si shkojnë protokollet) Jo i ka dy javë që kemi ardh, testet i kemi bërë në kufirin tonë, tash vetëm tranzit me kalu këndej pari, kjo me i përshëndet familjen dhe me shku andej. Po, tash na kanë ndaluar këtu, mua më thonë se ti ke të drejtë, kjo nuk ka të drejtë, ku e di tash të shohim a po kryn testi ynë… Prej Gjermanie në Kosovë e kemi bërë testin…”

Qytetarët thonë se do të donin hapje të tërësishme të kufinjëve, pa pasur nevojë për teste, pasi kanë shumë familjarë të tyre që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, e që nuk i kanë parë me muaj.

Qytetar
“Nuk është njëherë, 100 herë i kemi bërë testet, ku po shkojm teste, kjo është interesant..Kanë informuar nëpërmjet televizionit për kufinjtë, tani po shkoj te vajza që se kam parë 3 muaj, të shkoj vetëm pak edhe tranzit për në Serbi, s’kemi çfarë të bëjmë…. Përmes televizionit kanë njoftuar se na lëshojnë si tranzit, sa është 4 orë a 6 orë, sa të duhet me nejt edhe unë nuk e di, po s’ka problem kaloj këtu tranzit për në Serbi. ”

Në ndërkohë në 24 orët e kaluara në vendkalimin kufitar Tabanoc ka pasur gjithsej 2.444 udhëtarë, nga të cilët 1.192 shtetas vendas dhe 1.252 të huaj, njoftuan sot zyrtarët nga Vendkalimi Kufitar Tabanoc.

Sot hyn në fuqi vendimi i Qeverisë për hapjen e të gjitha vendkalimet kufitare në vend me zbatim të, masave që janë aktive, me ç’rast për hyrje në Maqedoninë e Veriut është i obligueshëm testi valid negativ për Kovid 1 9, jo më i vjetër se 72 orë. Mbetet edhe masa për nënshkrim të “Deklaratës për vetizolim të obligueshëm në kohëzgjatje prej 14 ditëve”, në bazë të së cilës Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor përgatit Vendim për kontroll shëndetësor dhe vetizolim shtëpiak, të cilën e kontrollon MPB.

Mbetet në fuqi edhe masa për karantinë shtetërore në kohëzgjatje prej 14 ditësh, për të gjithë qytetarët ose të huajt me qëndrim të rregullt në vend, të cilët gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk do të bëjnë test valid PRC ose do të dorëzojnë test jovalid PCR.

Mbetet edhe mundësia për qytetarët të cilët janë në karantinë shtetërore dhe që duan t’u bëhet test PCR në kërkesë të tyre, ajo t’u mundësohet nga ana e institucionit të autorizuar në afatin më të shkurtër. Ato qytetarë të cilët testin PCR e kanë negativ, nënshkruajnë “Deklaratë për vetizolim të obligueshëm në kohëzgjatje prej 14 ditëve”, ku llogariten edhe ditët e kaluara në karantinë shtetërore dhe shkojnë në vetizolim të obligueshëm në adresën e përcaktuar në deklaratën e dhënë. Nëse qytetarët nuk duan të bëjnë test me PCR, mbesin në karantinë 14 ditë, ndërsa pas atij afati nga ana e përfaqësuesve të autorizuar të ISHSSH u përgatitet vendim për kontroll shëndetësor dhe vetiozlim shtëpiak.