Marrëveshja e Bashkësisë Fetare Islame me Agjencinë për Zhvillim TIKA për rinovim e Teqesë “Arabati Baba” në Tetovë, i ka hidhëruar bektashinjtë pasi që të njëjtit nuk ishin pyetur fare për këtë gjë!

Kryetari i Bektashinjve të Maqedonisë, Arben Sulejmani thotë se nuk është kundër rinovimit, por kundër ndryshimit të historisë.
“Jo që jemi të hidhëruar por jemi të nënçmuar nga ana e atyre që flasin. Ne jemi mirënjohës të secilit që ndihmon në mirëmbajtjen e teqesë. Mirëpo mirëmbajtja e teqesë duhet të fillohet nga pronari i teqesë realisht nga ai që jeton në teqe. Nuk mund të bëhet asnjë ndryshim dhe asnjë investim në teqe nëse nuk miratohet nga ne si Bashkësi Fetare Bektashiane”, tha Arben Sulejmani, Kryetar i Bektashinjve të Maqedonisë.
Myftiu i Tetovës Qani Nesimi thotë se Teqeja është pronë e BFI-së, dhe jo e bektashinjve pasi që të njëjtit nuk i njeh si komunitet në vete.
“Ne nuk kemi asnjë problem me ata, jemi shumë të hapur, nuk kemi asnjë kontest në aspekt social, shoqëror apo fetar, por ata sikur i ka motivuar se duhet të jenë subjekt në vete. Ata duhet që njëherë të bëhen subjekt në vete nëse mendojnë, dhe pastaj duhet të pretendojnë për vend dhe tokë. Mirëpo nuk mundet të pretendojnë në tokën e cila është pronë e BFI-së”, u shpreh Qani Nesimi, Myftiu i Tetovës.
Para kamerës së TV21, Nesimi premtoi se nuk do të prek teqenë dhe se nuk synojnë në ndryshimin e historisë së teqesë.
“Prezenca e teqesë bektashiane është e padiskutueshme që është pjesë e kompleksit arabati. Nuk do të preket, nuk guxon kush ta prek teqenë, xhaminë apo objektet tjera. Çdo gjë do të ruaj origjinalitetin e vet”, shtoi Nesimi.

Myftenia e Tetovës nuk deshi të tregojë dokumentet e pronësisë së teqesë “Arabati Baba”, duke thënë se fjalët e Myftiut Nesimi janë më të vlefshme se e zeza në të bardhë!
Ndërsa Kryetari i Bektashinjve të Maqedonisë Arben Sulejmani, tregoi dokumente kur institucionet iu kanë drejtuar si Komunitet Bektashian, ndërsa tani, nuk i njeh si të tillë.
“Shteti i Maqedonisë vazhdimisht komunikon me ne si Komunitet Bektashian i Maqedonisë, ndërsa kur ka nevojë për të ndryshuar situatën atëherë thirret në bashkësinë Islame. Bashkësia Islame nuk është shtet! Bashkësia Islame është subjekt i barabartë me ne. Komuniteti bektashian ka qenë i regjistruar në vitin 2000 dhe dëshmitë që ka qenë i regjistruar në vitin 2000 janë jo vetëm Komisioni për pyetje dhe çështje religjioze por kemi edhe një situatë tjetër ku ministria e mbrojtës i paraqitet komunitetit bektashian dhe thotë “Bektashiski Centar”. Si mund që komunitetin bektashian të mos e njohe shteti ndërsa në anën tjetër i paraqitet dhe i falënderohet për ftesë”, u shpreh Arben Sulejmani, Kryetar i Bektashinjve të Maqedonisë.
Bektashinjtë e Maqedonisë i janë drejtuar si komunitet Gjykatës së Strasburgut për të Drejtat e Njeriut, për ta kthyer emrin e bektashinjve, në listën zyrtare të bashkësive fetare në Maqedoni.

https://youtu.be/R3t2LKfv4ow