Pas mbarimit të mësimit, nxënësit e shkollës të mesme teknike “Nace Bugjoni” në Kumanovë, presin autobusët për të udhëtuar nëpër fshatrat e Likovës. Por, ata ankohen se autobusët janë të stërmbushur me nxënës dhe gjatë gjithë kohës duhet të qëndrojnë në këmbë.

Sipas prindërve të tyre, kompanitë e autorizuara për transportin e nxënësve përdorin më pak autobusë në krahasim me numrin e nxënësve që udhëtojnë. Seminja thotë se e gjithë kjo ndodh që kompanitë private për të ulur shpenzimet kursejnë në prurjen e autobusëve tjerë. Kjo nxënëse e vitit të parë të mjekësisë, thotë se në këtë mënyrë çdo ditë vihet në rrezik edhe siguria e tyre.

“Është e vërtetë se në autobus jemi shumë persona dhe pothuajse çdo ditë dikush duhet të qëndroj në këmbë. Jo nuk e di, prindërit nuk është se janë ankuar diku, por siç ka qenë më parë ashtu po shkon puna edhe tani. A mendon se është në rregull? Jo, nuk mendoj, se çdo ditë kemi ndryshime të linjave, nuk është i caktuar një autobus për një fshat konkret”, tha Semine Saqipi, Nxënëse.

Nga udhëheqësia e Shkollës së mesme teknike “Nace Bugjoni” në Kumanovë, thonë se prej 1074 nxënësve, gati 90% vijnë nga fshatrat e Komunës së Likovës.

Zëvendësdrejtori Shyqeri Xhaferi thotë se prej këtyre nxënësve ndodhë që të mungojnë në orët e mësimit për shkak të problemit të transportit.

“Ndonjëherë ndodhë që për shkak të ndonjë defekti të autobusëve ose për shkaqe të ndryshme teknike ka ndonjëherë edhe vonesa. Por, kemi edhe ankesa nga prindërit, të cilët vijnë dhe na kritikojnë gjoja se ne kemi fajet për këtë, kurse shkolla jonë absolut nuk ka kurrfarë ndikimi tek transporti, për arsye se ajo është në kompetencë të Komunës së Kumanovës”, u shpreh Shyqeri Xhaferi, Zv.drejtor i SH.M.T.“Nace Bugjoni”.

Kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, thotë se mbingarkesën në autobusë e shkaktojnë mbi 80 nxënës nga fshatrat e Komunës së Likovës, të cilët mësojnë në Gjimnazin e Kumanovës dhe nuk e kanë të paraparë me ligj sigurimin e transportit nga shteti, për shkak se të njëjtit kanë gjimnaz edhe në Likovë.

“Këta nxënës, nga ana e vet shoferëve merren në autobus falas me qëllim që mos të lihen në rrugë, andaj supozoj se për atë arsye vjen deri tek mbingarkimi i autobusëve. Kjo nuk është e lejueshme e as e pranueshme sepse cenohet siguria e nxënësve dhe këtë çështje do ta kontrollojmë nga organet kompetente”, shtoi Maksim Dimitrievski, Kryetar i Komunës së Kumanovës.

Autoritetet e Komunës së Kumanovës, të cilët kanë kontraktuar këto kompani private të bëjnë transportin e nxënësve, thonë se para alarmimit të TV21 për këtë rast, nuk kanë qenë në dijeni që nuk respektohet marrëveshja për transport të sigurt dhe adekuat. Ata thonë se që nga nesër, inspektorët komunal do të bëjnë kontroll në terren, duke apeluar që të njëjtën ta bëj edhe policia e trafikut rrugorë.