Kryeministri Albin Kurti tha sot se ndërhyrja e NATO-s para 23 vjetësh në Kosovë ishte e nevojshme për të ndalur gjenocidin.

“Kur dhuna nisi të marrë masa gjenocidi, rezistenca ishte e pashmangshme. Ndërsa dështonin përpjekjet diplomatike amerikane, në Kosovë çdo ditë hapeshin varre për fëmijë, burra e gra që masakroheshin”, tha Kurti sot gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka përmendur mizoritë që shkaktonin serbët, në fund të vitit 1998 e në fillim të 1999-ës, e që alarmuan bashkësitë ndërkombëtare.

“Në pranverën e vitit 1999 kemi pasur 20 mijë gra të dhunuara, 80 për qind u dëbuan nga shtëpitë. Sot i kemi mbi 1600 persona të zhdukur, 12 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë dhe ende s’ka drejtësi”, tha ai.

Kurti përmendi se 23 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, Serbia nuk ka kërkuar falje e as nuk i ka pranuar krimet, ndërsa ka përmendur edhe luftën në Ukrainë, për çka ka thënë se NATO-ja dhe të gjithë duhet ta mbrojnë Ukrainën.

“23 vjet pas luftës, fqinj ynë verior as nuk kërkon falje, as nuk i pranon krimet. Në vend të zbuloheshin ekzekutorët e krimeve, ata fajësojnë NATO-n për bombardime. Ata bashkë me Rusinë po keqinterpretojnë edhe ndërhyrjet në Ukrainë. Ajo në Kosovë, ishte ndërhyrje legjitime sepse Milosheviqi nuk po hiqte dorë nga spastrimi etnik. Ne kishim në njërën anë UÇK-në dhe kjo ndërgjegjësoi ndërkombëtarët për të na mbështetur. Lufta mbrojtëse në Ukrainë po gjen mbështetje të jashtëzakonshme nga perëndimi, sikur te ne atëherë. Ne kemi dënuar invazionet e Federatës Ruse. NATO-ja dhe të gjithë duhet ta mbrojnë Ukrainën. 24 marsi 1999 pati sjellë shpresë, por edhe vuajtje. Sot i përkujtojmë të gjithë dëshmorët e martirët që ranë për liri. NATO-ja u dha fund iluzioneve të Milosheviqit”, tha Kurti në seancën e Kuvendit me rastin e 23-vjetorit të fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s.