Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot ka bërë të ditur se do largojnë tarifën e vendosur ndaj produkteve të Serbisë, ndërsa do ta zbatojnë reciprocitetin si masë mbrojtëse për prodhuesit.

Kurti këto komente i bëri në Konventën e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

“Parimet e reciprocitetit do të bazohen në CEFTA”, tha Kurti, duke bërë të ditur se tashmë është themeluar Grupi punues për vlerësimin e masave mbrojtëse të reciprocitetit dhe sa ta marr rekomandimin do të vendosë për këtë çështje.

Ndryshe, edhe një ditë më parë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se brenda disa ditësh do të vendoset për çështjen e tarifës ndaj produkteve të Serbisë.

Osmani të martën pas mbledhjes së Kryesisë tha se ekziston një marrëveshje e partive në qeveri lidhur me tarifën ndaj produkteve të Serbisë dhe lidhur me konkretizimin e kësaj marrëveshjeje këto dy-tri ditë të ketë një koordinim dhe do të vendosen hapat qoftë kohor ose përmbajtjesor lidhur me zbatimin e marrëveshjes për tarifën.

Por, për dallim nga partitë në pushtet, shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka bërë thirrje që të mos hiqet taksa 100% ndaj produkteve serbe.

Sipas tij, taksa ka pamundësuar pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës.

Haradinaj, deklaroi që opozita do të jetë konstruktive dhe kujdestare e Kosovës së 17 shkurtit të 2008.

Ndërsa, në anën tjetër shtoi se “deri sa nuk ka njohje reciproke, nuk mund të ketë as funksionalizim të reciprocitetit”. Haradinaj shtoi që taksa nuk e ka bllokuar dialogun, sepse i njëjti është duke vazhduar dhe janë arritur marrëveshje për autostradën, hekurudhat dhe linjën ajrore mes dy vendeve.

Haxhi Shala, shef i Grupit parlamentar NISMA-AKR, tha se vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e njëjtë lidhur me taksën. Ai shtoi që është e paqartë se çfarë do të bëjë koalicioni qeverisës lidhur me bisedimet, si dhe çfarë nënkuptohet me reciprocitetin.

“Në bazë të deklaratave të ambasadorëve, edhe reciprociteti, njëjtë sikur taksa do të jetë bllokuese e procesit. Nëse nga një bojkot ndërkombëtar për shkak të taksës, po shkojmë tek një bojkot i dytë për shkak të reciprocitetit, atëherë pse të lëvizet nga taksa?” deklaroi ai.

Lidhur me qëndrimin për dialogun, Shala shtoi se ata do të jenë konstruktiv dhe kur të ketë platformë të qartë mbi atë se çka do të bëjë ekipi negociues, do të deklarohen se a e mbështesin këtë proces.