Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, vizituan sot Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës (KEK).

Siç njofton kumtesa nga kryeministria, në këtë vizitë u përfshinë vizitat në Termocentralin Kosova – A, Divizionin e Qymyrit dhe Termocentralin Kosova – B.

“Aty, kryeministri në detyrë u informua mbi punën e kësaj korporate, veçanërisht në situatë pandemie. Sipas u.d. të Kryeshefit Ekzekutiv, Luigj Imeri, në përputhje me këshillat mjekësore dhe masat e Qeverisë me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit, KEK-u ka reduktuar stafin e punëtorëve”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, theksohet në njoftim, prodhimi nuk është ndaluar e as nuk ka munguar, ashtu që furnizimi me energji elektrike për qytetarët e Republikës së Kosovës të jetë i rregullt.

“Punëtorët janë pajisur me masat mbrojtëse me kohë dhe gjatë gjithë kohës, si dhe kanë respektuar udhëzimet përkatëse”, thuhet në njoftim.

Tutje, ai po ashtu e njoftoi Kryeministrin në detyrë Kurti edhe për planet afatshkurta dhe afatmesme të KEK-ut.

Kryeministri në detyrë Kurti i falënderoi të gjithë për punën e palodhshme dhe tejet të rëndësishme. Për të dhe Qeverinë në detyrë KEK-u ka rëndësi të trefishtë; (i) është pasuri natyrore, (ii) kapacitet prodhues dhe (iii) organizatë e punëtorëve. Ai shprehu mbështetje dhe gatishmëri për të bashkëpunuar ashtu që rritet dhe stabilizohet prodhimi dhe të përmirësohen kushtet e punës në këtë ndërmarrje. KEK-u ka nevojë për investime të duhura, menaxhim të mirë dhe ndërlidhje me hallkat e ekonomisë duke qenë se energjia është epiqendër e zhvillimit ekonomik.

Kurti i uroi për pavarësimin elektro-energjetik të Kosovës pas votimit të suksesshëm të Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E.

“Kjo marrëveshje e largon Kosovën nga blloku rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut dhe e bashkon Kosovën me bllokun rregullues Kosovë-Shqipëri, dhe si rezultat mundëson funksionalizimin e interkonjeksionit 400kV në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Si e tillë, ajo do të jetë ndihmë për gjenerim me të madh përveç se furnizim më të mirë me energji elektrike”, citohet Kurti.

Kryeministri në detyrë Kurti u zotua se do të jetë gjithnjë pranë KEK-ut dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, si asnjë kryeministër më parë.

Në takim ishin edhe zv ministri Edison Jakurti dhe ish drejtori i Trepçës dhe ish kryesuesi i bordit të KOSTT, Nazmi Mikullovci. Në KEK u pritën dhe u përcollën nga u.d. i Kryeshefit Ekzekutiv, Luigj Imeri, anëtarët e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve, anëtarë të Menaxhmentit të KEK-ut dhe përfaqësuesit e punëtorëve.