I dominuari për kryeministër nga Vetëvendosja, Albin Kurti ka thënë se me qeverisjen e partisë ku ai bën pjesë asnjë zyrtar nuk do të ketë pagën më të madhe se trefishi i pagës mesatare në Kosovë.

“Asnjë zyrtar nuk do të ketë pagë më të madhe se sa trefishi i pagës mesatare, as presidenti, e as kryeministri nuk do të ketë pagë mbi 1300 euro”.

“Nëse politikanët duan rroga më të madhe, le ta rrisin rrogën mesatare ose nëse duan sërish, le të provojnë fatin me biznes”.

Ai si i ftuar në Magazina Zgjedhore në Klan Kosova ka folur edhe për tregun dhe për programin që ka Vetëvendosja në këtë aspekt.

“Konkurrenca jolojale është problem për bizneset, është e domosdoshme të kemi trefishim të inspektorëve të punës, duhet të jetë edhe siguria në punë”.

“Do të mund të parandalohej vdekja e punëtëorëve nëse kemi Inspektoriatin e Punës si duhet”

Kurti ka thënë se tregu në Kosovë nuk është i lirë, por është një kaos.

“Në shtetet e zhvilluara perëndimore kanë pafund rregulla, tegu është i lirë po i rregulluar, është respektim i ligjit, duhet të respektohet ligji, tregu nuk është xhungël”.

“Në Kosovë ka anarki, nuk është treg i lirë, duhet të respektohen kriteret e caktuara”.

I nominuari për kryeministër nga Vetëvendosja ka shpalosur edhe programin e partisë ku ai bën pjesë për investitorët e huaj.

“Në Kosovë duhet të krijohen kushtet për të investuar së pari ne vetë. Trusti Pensional ka mbi 1 miliard e gjysmë euro e vetëm 3 % investohen në Kosovë, me idenë e Vetëvendosjes, do të kishte mundësi që një fond investiv të shiten aksionet edhe të Trustit Pensional”.

“Mërgata duhet të investojë tek ne, 32,000 biznese shqiptare janë vetëm në Gjermani e vetëm 1 % të investonin do të ishte mjaftueshme”.

“Ata nuk investojnë sepse kërkohen avans dhe bonus financiar nga shteti, nuk ka vizion zhvillimor, mbi gjysmë milioni lëndë janë në Gjykata, kur përndiqet Vetëvendosja, lëndët ekzekutohen ekspres e gjysmë milioni janë në sirtar”.

“Janë vjedhur miliardat e më së shumti janë arrestuar aktivistët e Vetëvendosjes”.