Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dialogu me Serbinë ka ngecur te shkeljet që Serbia po ia bën Marrëveshjes Bazike. Kurti ka thënë se Serbia ka shkelur së paku tetë nga 11 nenet e marrëveshjes.

“Ka ngecur te shkeljet që ia bën Serbia marrëveshjes. Së paku tetë nga 11 nenet e Marrëveshjes Bazike, Serbia i ka shkelur. Dhe, kjo ka kulmuar me letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, e cila tash do të jetë kryetare e Parlamentit të Serbisë, ku ajo thotë se praktikisht tërhiqen nga Marrëveshja Bazike dhe nga aneksi i zbatimit [i arritur] në Ohër. Marrëveshja Bazike është së paku njohje reciproke, de facto. Ndoshta edhe më shumë, por së paku njohje de facto është.

Dhe, ata u tërhoqën sepse thanë ‘kurrë s’do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës, kurrë s’do ta pranojmë integritetin territorial të Kosovës dhe as ulësen për Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara’”, ka thënë Kurti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se ndërmjetësit evropianë dhe amerikanë e kanë toleruar shkeljen e marrëveshjes dhe mosrespektimin e marrëveshjes në vazhdimësi që e ka bërë Beogradi përgjatë muajve.

“Ata, praktikisht, u tërhoqën nga marrëveshja pasi që gjatë gjithë vitit e kishin shkelur atë. Problemi që unë kam me ndërmjetësit evropianë dhe amerikanë është se e kanë toleruar shkeljen e marrëveshjes, mosrespektimin e marrëveshjes në vazhdimësi që e ka bërë Beogradi përgjatë muajve, javëve e madje edhe ditëve të vitit 2023, e të cilat kulmuan më 13 dhjetor, në samitin e Këshillit Evropian, ku zonja [kryeministrja e Serbisë, Ana] Bërnabiq tha që ne po tërhiqemi nga kjo marrëveshje.

Pra, nuk mund të kemi zbatim të marrëveshjes pa respektim të saj. Brukseli dhe Uashingtoni vazhdimisht kanë insistuar në zbatim të marrëveshjes, por si të zbatohet një marrëveshje që nuk respektohet?! Ata e shkelin çdo ditë marrëveshjen. Dhe, dy ngjarjet kryesore që i kemi pasur vitin e kaluar është 24 prilli, kur Kosova e kaloi fazën e parë drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës, e presidenti i Serbisë, Vuçiq, e mbajti një konferencë në të cilën tha se veriu i Kosovës është i okupuar, nuk e pranon marrëveshjen e kështu me radhë, deri te refuzimi të cilin e bëri Bërnabiq në mes të dhjetorit.

Ndërkaq, në terren kemi pasur sulmet paramilitare ndaj personelit të sigurisë, në maj, ku mbi 90 ushtarë të KFOR-it, por edhe policë e gazetarë, u lënduan rëndë e lehtë, dhe vrasja e rreshterit të Kosovës, heroit tonë, Afrim Bunjaku, më 24 shtator. Më 27 shkurt i bëjmë marrëveshjet, më 18 është aneksi i zbatimit. Shihni se çfarë ndodh më vonë”, ka thënë Kurti.