Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me presidentin e ri të Këshillit Evropian, António Costa, në Bruksel.

Kryeministri Kurti tha se Kosova është e përkushtuar që të përparojë në rrugën drejt BE-së.

“Në Bruksel pata kënaqësinë që të takoj dhe të bashkëbisedoj me Presidentin e ri të Këshillit Evropian, António Costa, i cili sonte është gjithashtu nikoqir i darkës me liderë të Ballkanit Perëndimor. Kosova është e përgatitur dhe e përkushtuar që të përparojë në rrugën drejt BE-së”, shtoi Kurti.

Kurti poashtu i ka shprehur urime për detyrën e re.

“Duke e uruar për detyrën e re dhe suksese të shumta gjatë angazhimit të tij, i ofrova bashkëpunim të ngushtë dhe të sinqertë, gjersa vendi ynë mbetet i palëkundur në përkushtimin për integrim brenda familjes evropiane, aty ku Kosova përket”, përfundoi Kurti.