Kjo organizatë nacionaliste maqedonase këtë e ka bërë të ditur përmes një komunikate, lidhur me vizitën e tij dje në Shkup dhe Tetovë, ku mori pjesë në përurimin e rrugës “Adem Demaçi” në Çair dhe vizita në Vicë të Malësisë së Tetovës për projektin e rrugës Tetovë – Prizren, përcjell INA.

“Në mungesë të festave vjetore, pa ftesë të asnjë përfaqësuesi shtetëror, opozita shqiptare dhe pushteti bënë një grusht shteti kulturor në Maqedoni, duke shpallur fitoren e popullit shqiptar në të gjitha trojet e ish-RSFJ-së. Fitoren e ka paralajmëruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në mes të Shkupit ia ka ndryshuar emrin rrugës “Brigada e Dytë Maqedonase” në “Adem Demaçi”. Me këtë lëvizje dhe tejkalim të brigadës që çliroi dhe veproi pothuajse në të gjitha frontet në rajonin qendror dhe lindor të Maqedonisë si dhe në Frontin e Sremit, Serbi, Kroaci dhe Slloveni, ballistët shqiptarë krijuan një fitore kulturore në qendër të Maqedonisë, në Shkup. Diaspora e Bashkuar Maqedonase e dënon këtë akt si kërcënim për kulturën, kombin dhe një grusht shteti ku një kryeministër i huaj shpall fitoren në mungesë të një lideri politik maqedonas (mikpritës)”, thuhet në reagim.

Diaspora e Bashkuar Maqedonase kërkon siç thuhet nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut t’i shkruajë një letër proteste Kosovës, ta shpallë Albin Kurtin person non grata, të flasë hapur dhe seriozisht me bllokun shqiptar për këtë akt totalisht të padeklaruar, duke i kthyer të gjitha pikat e referimit, emrat e rrugëve, korrigjimin e të gjithë flamujve shqiptarë, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë.