Nga sot Sandër Lleshi do të jetë ministri i ri i Brendshëm i vendit, pas dorëheqjes së Fatmir Xhafajt. Lleshi ka mbajtur derimë tani postin e këshilltarit për sigurinë kombëtare pranë kryeministrisë, dhe mesa duket ka marrë besimin e Edi Ramës për një post kaq të rëndësishëm.

Lleshi ka pasur disa poste të rëndësishme në fushën e mbrojtjes dhe të forcave të armatosura, ndërsa mban disa grada të marra dhe në vendet perëndimore.

Ndërkohë që kryeministri Rama në vitin 2013, kur e ka marrë si këshilltar, ka treguar dhe njohjen e tij për herë të parë me Lleshin. Ai ka treguar se me emerin e tij është ndeshur në vitin 2012, kur shkrimtari Ismail Kadare propozonte që Llesji të zgjidhej si president i vendit, përt shkak të denoncimeve të tij publike për rrënimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

“Emrin e Sandër Lleshit e kam dëguar për herë të parë nga Ismail Kadare, i cili ia sugjeroi palëve si një kandidaturë të spikatur për President të Republikës një vit më parë. Më vonë munda ta çmoj përmes mediave kur denoncoi publikisht rrënimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe degradimin e rëndë të drejtimit të ushtrisë sonë. Dhe njohja nga afër erdhi kur pas zgjedhjeve e thirra për ta dëgjuar lidhur me gjithë çka kishte denoncuar publikisht, si edhe me idetë e tij për të ardhmen e dikasterit qendror të mbrojtjes si edhe të vetë Forcave të Armatosura natyrisht.

Pas disa komunikimesh kuptova besoj, arsyet pse shkrimtari i shquar e kishte menduar si president të denjë për vendin këtë gjeneral të panjohur. I edukuar në perëndim, njohës i mirë i historisë dhe bartës i modestisë intelektuale që karakterizon të diturit, zotërues i thellë i fushës jo vetëm nga librat po edhe nga rrugëtimi i një karriere të gjatë – nisur si fëmijë i një familjeje të varfër nga veriu në derën e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” dhe ndërprerë brutalisht në pozicionin e zëvendës Shtabit të Përgjithshëm nga arroganca e injorancës së pushtetit në ikje -, Sandër Lleshi ka pranuar të jetë këshilltari im për mbrojtjen në kryeministri.”-shkruante Rama në vitin 2013.

Kush është gjeneral Sandër Lleshi:

Sandër Lleshi Gjeneral Brigade. Mban prej vitit 2010 postin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Në periudhën 1996- 2000, gjeneral Lleshi ka qenë komandant i Kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë dhe më pas, për tre vjet të tjera, ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”.

Në vitet 2003-2006 ka shërbyer si atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani. Sa i takon arsimit të tij në fushën ushtarake, ai fillon në periudhën 1978-1985 kur ka kryer shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Akademinë Ushtarake.

Nga viti 1994 deri në 1999 ka kryer një sërë kursesh, si ai i gjuhës gjermane në Akademinë e Mbrojtjes Kombëtare në Vjenë (Austri); kurs i avancuar i gjuhës gjermane në Institutin Federal të Gjuhëve (Bundessprachenamt) në Gjermani; kurs i komandantit të Batalionit në Shkollën e Artilerisë Kundërajrore në Rendsburg, Gjermani; kurs i Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani dhe kurs i Sigurisë Europiane në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani. Në 2008-n, gjeneral Lleshi ka përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani; Ndërsa në 2011-ën përfundoi Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA.