Kuvendi i Republikës së Maqedonisë pasdite e filloi seancën e 22-të në të cilën duhet të emërohet Prokurori Publik shtetëror, përcjell Fol.

Qeveria më 7 nëntor i propozoi Kuvendit që Prokuror Publik i Republikës së Maqedonisë të emërohet Lubomir Joveski, anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Në thirrjen të cilën e shpalli Qeveria më 14 shtator, për prokuror publik u paraqitën 23 kandidatë. Pas paraqitjes së kandidatëve, Këshilli i Prokurorëve Publikë, me kërkesë të Qeverisë dorëzoi mendim në formë të shkruar për të gjithë kandidatët e paraqitur në shpallje që i plotësojnë kushtet. Mendimi i Këshillit është obligues për Qeverinë, e cila kandidatët e propozuar i dorëzon në Kuvend.

Gjashtëdhjetë e trevjeçari Joveski në punën e deritanishme ka vepruar në sferën penale. Mbi 15 vjet ka punuar si gjykatës për lëndë penale, ndërsa në një mandat ka drejtuar me Gjykatën Themelore Shkup 2, ndërsa ka përvojë pune prej mbi 12 vjet si prokuror publik dhe shtatë vjet në sferën e zbatimit të sanksioneve penale.

Joveski në vitin 1979 bëhet praktikant në Sekretariatin republikan për Gjyqësi të Republikës Socialiste të Maqedonisë. Nga viti 1987 ka qenë gjykatës në Gjykatën Komunale Shkupi 2, në vitin 2003 është zgjedhur për zëvendësprokuror publik, ndërsa nga viti 2015 është anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë të RM-së.

Për emërimin e Prokurorit Publik, Kuvendi i RM-së vendos me shumicë të thjeshtë prej 61 votash. Prokurori Publik ka mandat prej gjashtë viteve me të drejtë të emërimit të sërishëm.

Deri më tani këtë funksion e ushtronte Liljana Spasevska, pasi Marko Zvërlevski u shkarkua më 17 gusht të këtij viti. /Fol/