BDI synon kreun e Kuvendit në përbërjen e re parlamentare. Zyrtarë të lartë të kësaj partie thonë se ky post për ta është i arritshëm, por sqarojnë se në negociatat me mandatarin për qeverinë e re do të fokusohen më tepër në kërkesat e bëra publike tashmë nga ky subjekt.

Ndërkohë, rreth tre javë pas konstituimit puna e Kuvendit vijon të jetë e bllokuar. Akoma nuk është zgjedhur kryeparlamentari i ri ndërsa nuk janë formuar as komisionet kuvendore.

Juristi Mersim Maksuti, thotë se moszgjidhja e kryetarit të ri të Parlamentit e komplikon edhe më tepër situatën politike në vend. Procesi, sipas tij, po zvarritet për shkak se ende nuk ka marrëveshje për koalicionin e ri qeveritar që do të përbënte edhe mazhorancën në Kuvend, e nevojshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.

Gjendja momentale politike ndikon në funksionimin e parlamentit, formimin e trupave kuvendor dhe thellon ngërçin politik. Nga formimi i qeverisë varet drejtpërdrejt edhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit  – deklaroi profesori Mersim Maksuti.

Kryeparlamentari i ri nuk pritet të zgjedhjet para 29 janarit kur skadon afati ligjor i mandatarit Nikolla Gruevski për formimin e qeverisë. Në rast se nuk arrihet marrëveshje për koalicionin e ri qeveritar mbetet e paqartë se kush do të shpall zgjedhjet e reja të parakohshme apo ato lokale që pritet të mbahen në maj. Ndërkohë, në Kuvend aktualisht nuk funksionon asgjë, madje sipas të punësuarve në këtë institucion, deputetët e rinj ende nuk kanë filluar të paraqiten në zyrat e tyre./Alsat-m