Tri javë para shpërdarjes së institucionit ligjvënës, i paraparë më 12 shkurt, në duart e deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut janë qindra propozim-ligje për miratim, kryesisht në lëmin e ekonomisë dhe politikave sociale, siç është propozim-ndryshimi i Ligjit për sigurimin pensional, ndryshimi i Ligjit për marrëdhëniet e punës etj.

Në kuadër të seancës së 126-të, deputetët diskutojnë për 125 pika të rendit të ditës.

Njohësit e çështjeve politike thonë se pushteti në këtë mënyrë synon t’i joshë votuesit duke u dhënë privilegje të caktuara grupeve të caktuara të qytetarëve.

“Këto ligje janë populiste në esencë dhe mund të shihen edhe si një tentim i qeverisë, kushtimisht thënë për të blerë votat e qytetarëve në zgjedhjet e prillit. Ndoshta arsyetimi ka qenë se këto ligje kanë qenë të parapërgatitura shumë më herët, megjithatë miratimi i ligjeve me këtë dinamikë të shpejtë, përkatësisht tri apo katër javë para shpërndarjes së parlamentit, më 12 shkurt, lë shumë dyshime se pas sinqeritetit të qeverisë, si propozuese, fshihet qëllimi i bërjes së votave përmes benifiteve sociale”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Sefer Selimi, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Democracy Lab”.

Nga ana tjetër, Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se miratimi i qindra ligjeve me procedurë të shkurtuar, demonstron mosfunksionalitetin e duhur të institucionit ligjvënës duke u vënë kështu kryekëput në shërbim të qeverisë.

Kjo praktikë e keqpërdorimit të institucioneve për qëllime partiake, thekson Neziri, ka qenë të kaluarën dhe fatkeqësisht vazhdon edhe tani.

“Në sipërfaqe del roli jo i duhur, fuqia e munguar e rolit të deputetit dhe parlamentit, pasi që deputeti po edhe parlamenti në përgjithësi shndërrohet në një institucion-vegël të pushtetit ekzekutiv, partive politike dhe kështu në vend se të jetë në funksion të qytetarëve ajo shndërrohet në një makineri votuese, duke menduar se sa vota do të mund të marrë partia e caktuar dhe jo për gjendjen ose përfaqësimin e denjë të interesave të qytetarëve në parlament”, vlerëson Neziri.

Para deputetëve është edhe një numër i madh ligjesh që kanë të bëjnë me parandalim dhe mbrojtjen nga diskriminimi, si dhe ndryshimet ligjore për mundësi të barabarta të grave dhe burrave, të cilat ligje, gjithashtu janë me procedurë të shkurtuar.

Mirjana Najçevska, aktiviste për të drejtat e grave, përshëndet miratimin e ligjeve në fjalë, edhe pse, siç thotë, këto ligje do të ishin më funksionale dhe më mirë të hartuara nëse për to do të kishte një debat, ku do të përfshiheshin të gjitha vërejtjet e ekspertëve, në mënyrë që këto ligje të ishin në funksion të plotë të grupeve të caktuara, të cilat shërbejnë në masë të madhe për demokratizimin e shoqërisë.

“Me shumë rëndësi është që të kombinohet parimi i përfaqësimit të drejtë me parimin e përfaqësimit gjinor, sepse kemi një debalancim specifik gjinor në aspektin etnik”, thekson Najçevska.

Ndryshe, me miratimin e shumë ligjeve me procedurë të përshpejtuar, për opozitën maqedonase dhe atë shqiptare, pushteti tregon qartë se ka frikë dhe tenton të përfitojë pikë politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërkohë që opozita ankohet se kjo dinamikë atyre u lë shumë pak hapësirë për shqyrtim të propozim-ligjeve të pushtetit.

Ndërkaq, partitë në pushtet thonë se ligjet kanë qenë të hartuara paraprakisht dhe imponimi i zgjedhjeve të parakohshme e ka ngushtuar dinamikën kohore të miratimit të tyre, ndërkohë që theksojnë se të gjitha këto ligje janë në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës së të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, pa dallim të përkatësisë partiake apo etnike./Rel