“Ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë me mbështetjen e BE-së dhe në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajçak
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka përshëndetur sot nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe Elektroseverit, të paraparë në marrëveshjen e Brukselit për energjinë, transmeton Anadolu.
“E mirëpres nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit. Ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë me mbështetjen e BE-së dhe në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Lajçak në platformën “X”.
Ai përgëzoi të gjithë ata që bënë të mundur këtë marrëveshje.
Kontrata komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit i referohet ofrimit të shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe kyçja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe.
Elektrosever është kompani motër e “Elektroprivreda Srbije”, e licencuar në Kosovë.
Udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë u miratua në qershor të vitit të kaluar, me qëllim tejkalimin e krizës dhe problemeve në sektorin e energjisë, duke marrë parasysh marrëveshjet që kanë të bëjnë me energjinë nga viti 2013.
Ajo marrëveshje parashikonte afate të caktuara për zbatim, por ato nuk u respektuan, kështu që kjo marrëveshje vjen me një vonesë të madhe.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, qytetarët e pjesës veriore të Kosovës nuk e kanë paguar rrymën e përdorur. Qeveria e Kosovës ka ndarë miliona euro nga buxheti i Kosovës për të paguar faturat e banorëve komunave në veri të Kosovës.