Në vigjilje të takimit në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev kanë bërë një letër të hapur për liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në letrën e tre liderëve thuhet se vizioni i tyre është të tejkalohen pengesat sociale, ekonomike dhe tregtare që ngadalësojnë rritjen ekonomike të rajonit nëpërmjet zbatimit të katër lirive themelore të BE-së.

Edhe pse nisma “Open Balkan” përfshin deri tani vetëm Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, Rama, Vuçiq dhe Zaev, nëletrën e publikuar nga gazeta malazeze “Dan”, theksojnë se nisma ka qenë dhe do të jetë e hapur për të gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, transmeton KP.

”Evropa nuk është thjesht një kontinent, por një vizion. Megjithatë, për një kohë të gjatë, qytetarët e Ballkanit Perëndimor si pjesë integrale e kontinentit dhe e këtij vizioni, janë lënë jashtë. Dëshira e popullit tonë për t’u bërë pjesë e familjes së BE është shpërfillur herë pas here për shkak të politikës së brendshme të vendeve anëtare, mungesa e realizimit të premtimeve të bëra si dhe frika nga e ardhmja. Kjo ka sjellë zhgënjim, paqëndrueshmëri, emigracion dhe mungesë investimesh të mëdha.

Ne, si udhëheqës të vendeve tona mund të vendosim të vendosim të rrimë e të qahemi apo të veprojmë. Ne zgjodhëm këtë të fundit. Në nëntor 2019, nënshkruam një marrëveshje paraprake për të çuar përpara të ashtuquajturin Procesi i Berlinit duke marrë përsipër një bashkëpunim më të thellë rajonal.

Vizioni ynë është të tejkalojmë pengesat sociale, ekonomike dhe tregtare që ngadalësojnë rritjen ekonomike të rajonit tonë nëpërmjet zbatimit të katër lirive themelore të BE-së në vendet tona.