Lëvizja Anti bixhoz mbajti konferencë për shtyp, me qëllim që të dërgojë porosi deri te establishmenti politik para votimit të Ligjit për lojëra të fatit. Ata porositën se bartësit e vendimeve, të mos bijnë pre të dëshirave financiare.

“Situata në të cilën gjendemi është fotografi brengosëse për shtetin dhe tendencën për hyrje në BE. Ne publikisht u drejtohemi të gjithë liderëve të partive politike, kryetarit të Kuvendit, presidentit të shtetit, Komisionit për financim, buxhet, 120-të deputetëve të cilët do të votojnë para së gjithash, më me rëndësi është të mendojnë për fëmijët e tyre, pasi edhe ata nuk mund të jenë imunë nga ky virus dhe është thelbësore për shtetin. Para se të votojnë të shikojnë përreth dhe të vizitojnë familje që është viktimë e bixhozit, besojmë se lotët e familjeve skamnore do të jenë të mjaftueshme të vendosin, lotët e fëmijëve të tyre do të jenë të mjaftueshme për dislokimin e atyre objekteve”, tha Xhemal Abdiu nga Lëvizja.

Prej aty reaguan ndaj kumtesës së Asociacionit të bastoreve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Ne kërkojmë dislokimin e tyre tre kilometra nga vendet e banuara, pasi ata janë shkatërrues të ardhmërisë së vendit. Ata bëhen kinse janë janë të shqetësuar për 7.700 të punësuar me rrogë minimale prej 16.000 denarëve, duke e keqpërdorur gjendjen e rëndës ekonomike. Sa janë mizorë? Ata kujdesen vetëm për vete dhe për xhepat e tyre”, tha Abdiu.