Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Ndonëse rezultati nuk është ende zyrtar, partia e Albin Kurtit ka dalë forcë e parë duke ruajtur një trend mbi 7 mijë vota para partisë së dytë më të votuar LDK.

Mbështetesit e Vetëvendosjes, nisur nga trendi pozitiv në çdo zonë dolën në shesh në Prishtinë që në orën 22:00 për të festuar fitoren.

Vetevendosja kaloi shifren 26% të votave të fituara ndërsa LDK qëndroi rreth 25%.

I pari që pranoi humbjen ishte kreu i PDK, Kadri Veseli, partia e të cilit doli forcë e tretë me jo më shumë se 21%. Veseli shtoi se PDK do japë kontribut në opozitë për të forcuar Kosovën.

Ndërsa një dështim edhe më i madh rezultoi AAK, e Haradinajt që nuk mori më shumë se 11-12% të votave.

Fitoren e Vetëvendosjes e uroi edhe kryebashkiaku i Prishtinës Shpend Ahmeti i cili garoi në zgjedhje në emët të PSD. Interesant fakti se Vetëvendosja mori fitore në Gjilan që ishte bastion i LDK, ndërsa në Mitrovicë doli forcë e dytë shumë afer me PDK që ishte e para.

Pavarësisht fitores Vetëvendosje duhet të negocojë me LDK me të cilën pati një marrëveshje parazgjedhore për të bërë 61 vota në Kuvend e kështu edhe Qeverinë.