Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistemin politik, z. Hazbi Lika, sot (08.06.2017) në takimin e tij të parë zyrtar, priti ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në vendin tonë, z. Fatos Reka.
Në këtë takim, ambasadori Reka uroi zëvendëskryeministrin Lika për zgjedhjen e tij në funksionin e ri, duke potencuar së zgjedhja e tij si zëvendëskryeministër do të jetë e dobishme për avancimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Lika falenderoi ambasadorin Reka dhe shtetin shqipar për përkrahjen e palodhshme dhe raportet vëllazërore mes vitesh të cilët kanë kontribuar në thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve në të gjitha sferat. Lika e njohu ambasadorin Reka për prioritetet e Qeverisë së re duke nënvizuar se në fokus do të jetë zbatimi i reformave në të gjitha fushat. Ai gjithashtu tha se implementimi dhe avancimi i Marrëveshjes së Ohrit janë thelbësore për progresin gjithëpërfshirës të shtetit tonë. Kabineti i ri qeveritar, shtoi zëvendëskryeministri,  është tejet bashkëpunues dhe i gatshëm për avancim emergjent të këtij dokumenti,  faktor i rëndësishëm i cili  na jep më shumë kompetenca dhe përgjegjësi për të vazhduar në këtë proces dhe në realizimin e qëllimit për anëtarësim në strukturat euro-atlantike.
Në vazhdim, ambasadori Reka theksoi se implementimi i menjëhershëm i Marrëveshjes së Ohrit është i detyrueshëm për të hapur rrugët drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.
“Të dy shtetet, Republika e Maqedonisë dhe ajo e Shqipërisë janë aspirante për BE. Nëpërmjet Proçesit të  Berlinit, i cili shërben si një paradhomë për përgatitje për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ne mund të shndërohemi në anëtare të denja.
Bashkëbiseduesit konstatuan se marrëdhëniet mes dy vendeve, Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë janë të mira dhe se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen me realizimin e projekteve të përbashkëta në sfera të ndryshme, duke u bazuar në sferën e tregëtisë, atë ekonomike dhe lidhjes infrastrukturore të cilat janë bazë për rritje të standardeve të jetesës, njofton Ina, përcjell FOL.