Gjykata Penale i ka ulur masën e kujdesit shtetasit të Kosovës, ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani. Nga paraburgimi ekstradues, Ramadani kalon në arrest shtëpie në një adresë në Shkup.
“Ndërpritet masa e paraburgimit ekstradues ndaj personit Blerim Ramadani nga Republika e Kosovës e caktuar me vendim të gjykatësit të procedurës paraprake më 18 korrik 2024. Masa e paraburgimit prej 30 ditësh konsiderohet nga data 17 korriku deri më datën 16 gusht 2024. Masa e paraburgimit ekstradues ndërpritet dhe caktohet masa e arrestit shtëpiak”, njoftojnë nga Gjykata Penale.
Blerim Ramadani në bazë fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar në Interpol nga Serbia u arrestua më 17 korrik në vendkalimin kufitar të Jazhincës. Përmbajtja e fletarrestit bazohet në dyshimet e Serbisë se Ramadani në cilësinë e ish-ushtarit të UÇK-së ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes. Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, gjatë vizitës në pikën kufitare të Tabanocit më 25 korrik kërkoi nga autoritet e Shkupit ta ekstradonin Ramadanin në Serbi. Çështja e ekstradimit të Ramadanit u hap edhe një ditë më parë gjatë vizitës së Ministrit të Brendshëm të Kosovës Xhelal Sveçla në Shkup. Ai tha se Shkupi duhet të vendosë në mënyrë të pavarur duke akuzuar Serbinë për tendencë në prishjen e raporteve mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ramadani do të qëndrojë në arrest shtëpie deri më 16 gusht. Pas kësaj gjykata duhet të vendosë nëse ndaj Ramadanit duhet të nisë procedura e ekstradimit apo të lihet i lirë. Ramadani është shtetasi i tretë i Kosovës si ish-ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut mbi bazën e fletarresteve serbe. Paraprakisht ishin arrestuar Gafurr Dugolli dhe Tomorr Morina, por me vendim të gjykatës ishin lënë gjithashtu të lirë. /Alsat.mk