Pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në ditën e tij të 10-të.
Derisa numri i viktimave civile është ende i paqartë, agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se më se një milion njerëz kanë ikur nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.

Qyteti i parë ukrainas që u pushtua ishte Herson.

Raketat ruse kanë synuar gjithashtu kryeqytetin Kiev dhe qytetin e dytë më të madh Harkiv, derisa një kolonë masive e blinduar që i afrohet Kievit vazhdon të jetë e bllokuar në rrugë.

Trupat ruse kanë kapur gjithashtu centralin bërthamor të Zaporizhja, më i madhi në Evropë, pasi e kanë granatuar për orë të tëra të premten.

SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse duke ngrirë asetet ruse.

OKB: Më shumë se 1.2 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina

Që nga e enjtja, më shumë se 1.2 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

Nga 1,209,976 refugjatë që kanë ikur, më shumë se gjysma kaluan në Poloni.

Të tjerë shkuan në vende të tjera fqinje, duke përfshirë Hungarinë, Sllovakinë, Moldavinë dhe Rumaninë raporton “CNN”.

Më shumë se një milion u larguan vetëm brenda javës së parë dhe shumë të tjerë janë “në lëvizje brenda dhe jashtë vendit,” me shumë familje të zhvendosura brenda vendit, sipas UNHCR-së.

Kryebashkiaku i Mariupolit bën thirrje për korridor humanitar mes “bllokimit”

Kryetari i bashkisë së Mariupolit Vadym Boichenko ka bërë thirrje për një korridor humanitar mes një bllokade të vazhdueshme dhe atyre që ai i ka quajtur “sulme të pamëshirshme” nga trupat ruse.

Qyteti port ka qenë i rrethuar që nga e enjtja dhe Boichenko tashmë ka paralajmëruar për një katastrofë humanitare atje.

Qyteti është shtëpia e rreth 450,000 njerëzve dhe furnizimi me energji dhe ujë është ndërprerë për shkak të bombardimeve të rënda.

Një nga portet më të mëdha të Ukrainës, Mariupol është strategjikisht i rëndësishëm, sepse kontrolli i tij do të krijonte një korridor tokësor midis Krimesë dhe rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut të mbështetur nga Rusia raporton “BBC”.