Ligji për përdorimin e gjuhëve është në pajtueshmëri me Kushtetutën, janë qyqare dhe të pabaza reagimet e OBRM-PDUKM-së, thuhet në reagimin e LSDM-së.

“Ndryshimet e Ligjit për përdorim të gjuhëve, që Kuvendi i miratoi sot, janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe amendamentin 5, i miratuar para 17 viteve”, thuhet në reagim.

Me ndryshimet e miratuara, thuhet më tej, nuk rrezikohet pozicioni kushtetues i gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik si gjuhë zyrtare në gjithë territorin, si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa avancohet përdorimi i gjuhëve të të gjithë bashkësive në Republikën e Maqedonisë.

“Qyqare dhe të pabaza janë reagimet e OBRM-PDUKM-së. Në qoftë se do të kishte çfarëdo lloj argumente për pohimet e rrejshme deputetët e OBRM-PDUKM-së mund të merrnin pjesë dhe t’i mbrojnë në seancën e sotme të Kuvendit, në vend që të ikin. Mbetet fakti se në këtë mënyrë OBRM-PDUKM-ja tregon se nuk ka kapacitet që t’i tejkalojë politikat e krijimit të ndarjeve artificiale midis qytetarëve”, thuhet në reagimin e partisë qeveritare.