Fushata zgjedhore për zgjedhjet e planifikuara të parakohshme parlamentare për në fund të muajit korrik ose fillim të gushtit, ende nuk ka filluar. Por, LSDM dhe VMRO-DPMNE ka kohë që në mënyra të ndryshme e atakojnë njëra-tjetrën me qëllim të diskreditimit politik

Bilborde, aksione guerile, biseda të përgjuara, pankarta të ndryshme, video prezantime dhe slogane me lëvdata për të arriturat ose diskredituar oponenti politik, edhe pse fushata elektorale zyrtarisht nuk ka filluar, ndërkohë që nuk është caktuar edhe data se kur do të mbahen zgjedhjet, kjo është fotografia e skenës politike në Maqedoni. Gjatë kohës së pandemisë me koronavirusin në profilet zyrtare të liderëve të partive politike për një kohë të gjatë po zhvillohet fushatë elektorale, ndërsa mes tjerash temë e grindjeve të tyre, është edhe ballafaqimi me pasojat nga përhapja e koronavirusit.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në rrjetin social “Facebook” krenohet se investimi i Qeverisë së udhëhequr nga LSDM-ja në shëndetësi ka mundësuar trajtim dhe ballafaqim të suksesshëm të institucioneve me krizën botërore shëndetësore. “Kemi siguruar rroga më të mëdha në shëndetësi, i kemi përmirësuar kushtet në 28 qendra të shëndetit publik”, thuhet në një nga shumë sloganet e kreut të LSDM-së, Zoran Zaev në rrjetet sociale. Në anën tjetër, kundërshtari i tij politik, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski po në rrjetet sociale me një video prezantim porositë se Zaev dhe Qeveria e partisë së tij gënjejnë qytetarët se në mënyrë të shkëlqyer po ballafaqohen me krizën shëndetësore dhe ekonomike. “Para për mbështetje nuk ka, ndërsa borxhet rriten. Gënjeshtra është stili i sjelljes së LSDM-së dhe kupolës së saj. Gjithçka që kemi thënë viteve të fundit për LSDM-në dhe Zoran Zaevin, tanimë po vërtetohet”, thekson Mickoski në video mesazhin e tij.

Nga VMRO-DPMNE po ashtu theksojnë se gjendja kaotike me virusin po reflektohet edhe në ekonomi: në muajit e parë të këtij viti, 25 për qind e tatimeve të planifikuara nuk janë paguar, prodhimi industrial ka rënë për një të tretën, ndërsa është marrë borxh i ri prej 307 milionë euro. Ndërsa, LSDM vlerëson se Mickoski sillet me papërgjegjësi, dhe se në të kaluarën kur VMRO-DPMNE kishte pushtetin luante rolin edhe të gjyqtarit dhe të policit. Po ashtu partia në pushtet LSDM-ja e Zoran Zaevit nëpër rrjetet sociale promovon sukseset e saj edhe në ekonomi. “Rrogën minimale e kemi rritur në 5.500 denarë, gjegjësisht nga 9.000 para se të marrim pushtetin, ajo tani arrijnë në 14500. Rroga mesatare para krizës ekonomike të shkaktuar nga Kovid-19 arriti në 27.000 denarë”, këto janë disa nga promovimet e shpeshta të LSDM-së për të arriturat në ekonomi. Ndryshe, në fushatë të parakohshme zgjedhore kanë hyrë edhe partitë tjera parlamentare dhe jashtë parlamentare. Në rast se nuk vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa paritë në pushtet mbeten në qëndrimin se zgjedhjet duhet të mbahen më 5 korrik, atëherë fushata elektorale zyrtarisht duhet të filloi me 15 qershor. Ndërkaq, VMRO-DPMNE dhe ASH-ja e Ziadin Selës kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve me 5 korrik dhe kërkojnë që ato të mbahen në fund të muajit korrik ose në fillim të muajit gusht.