Edhe përkundër se Serbia është i vetmi vend në rajon që nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, presidenti i Francës, Emanuel Marcron në një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, është shprehur se Serbia është vendi i parë që do të anëtarësohet në BE.

“Ai [Marcron] pa mëdyshje i tha presidentit Vuçiq se, pavarësisht nga ndryshimet gjeopolitike në Evropë dhe në botë, Serbia mbetet një prioritet kyç dhe vendi i parë që hyn në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Serbisë, raporton RTS.

Në njoftim gjithashtu thuhet se Macron e ka mirëpritur votimin e Serbisë në Kombet e Bashkuara për të dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës dhe se e ka mbështetur Serbinë drejt integrimit evropian.

“Të dy krerët diskutuan për situatën në Ukrainë, si dhe diskutuan për të gjitha lidhjet dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Francës, veçanërisht për bashkëpunimin ekonomik, me shpresën se ai do të zhvillohet edhe më fuqishëm në të ardhmen”, bëhet e ditur në njoftim.

Sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, Vuçiq ka thënë se shteti i tij mbështet plotësisht integritetin territorial të Ukrainës, por Beogradi nuk do të ndjekë shembullin e BE-së për të sanksionuar Moskën.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian ka vendosur një sërë runde të sanksioneve ndaj Rusisë dhe bizneseve ruse, pasi Moska më 24 shkurt nisi pushtimin e Ukrainës