Ikja e mjekëve dhe e personelit tjetër mjekësor nga vendi si dhe rritja e pagave karakterizuan edhe vitin që e lamë pas. Protestat për përmirësimin e kushteve nuk munguan as gjatë 2019-tës.

Disa herë të punësuarit në sektorin e Shëndetësisë dolën në rrugë për të kërkuar përmbushjen e premtimeve të Qeverisë. Gjatë nëntorit 2019, ministri kumtoi për rritjen e pagave masë kjo që synon parandalimin e largimit të mjekëve nga vendi.

Mjekët specialistë do të marrin paga më të larta për 25%. Pagat e Infermierëve dhe laborantëve shënuan rritje prej 10% ndërsa mjekët e përgjithshëm në Spitalet shtetërore 15%. Në rritje janë përfshirë edhe punëtorët shëndetësor me 5% ndërsa jashtë kësaj rritje mbetën administratorët dhe personeli ndihmës teknik. Infermierët mbetën të pakënaqur ndërsa Sindikalistët e Qendrës Klinike vazhdojnë të kërkojnë që në rritje të përfshihen edhe personeli teknik dhe administrata.

Viti 2019 u karakterizua edhe me raste kur pacientët dhe familjarët e tyre dhunuan personelin mjekësor. Një mjek nga Spitali i Tetovës përfundoi në Klinikë nga dhuna e ushtruar ndaj tij, ndërkaq incidentet pati edhe në Spitalin ushtarak “8 shtatori” si dhe në Spitalin “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup. Mjekët dolën në protesta para shumë Spitaleve të vendit.

Dikasteri i Shëndetësisë premtoi angazhimin e agjencive profesionale të sigurimit për parandalimin e incidenteve nëpër Spitale.

Nga muaji tetor nisi aplikimi i ndryshimeve në furnizimin me ilaçet. Kuotat u hoqën ndërsa për të parandaluar keqpërdorimet qytetarët obligohen që gjatë furnizimit me ilaçe të paraqesin edhe letërnjoftime.

Viti që lamë pas do të kujtohet edhe për dorëheqjen e zv/ministrit të Shëndetësisë pas një skandali të publikuar në një media të Shqipërisë në të cilën shihet se si pranon para nga një pacient i cili duhej të operohet nga ai. Pas dorëheqjes nga posti ministror, ai vazhdon të punojë në profesionin e tij si mjek./alsat/