Një në tre gra apo vajza i ekspozohet një forme të caktuar të dhunës në korniza globale, theksoi koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Maqedoni, Louisa Vinton në intervistë për AIM. “Ky numër, një në tre, është i zbatueshëm në pothuajse çdo vend, në çdo kontekst. Në Maqedoni konkretisht vërejmë se ka mungesë të të dhënave, nuk e dimë saktë për sa raste bëhet fjale, për këtë në vend punojmë shumë në këtë drejtim. Tani realizojmë hulumtim për gjendjen në vend”, thotë Vinton.

“Është e dokumentuar që jo vetëm një nga tre gra apo vajza është ekspozuar në ndonjë formë të dhunës, por tetë për qind prej të gjithë të anketuarve kanë përjetuar dhunë fizike dhe seksuale në 12 muajtë e fundit”, shtoi Vinton. Në Kuvend sonte do të shënohet fillimi i fushatës “Gjashtëmbedhjetë ditë aktivitet kunder dhunës gjinore”, në organizim të KB-së, ndërsa në bashkëpunim me institucionet në Maqedoni, në të cilën do të marrë pjesë edhe Vinton.

Me shënimin e fillimit të fushatës në të vërtetë paralajmërohet edhe dita e nesërme 25 nëntori, Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave. “Qëllimi i kësaj fushate është të tërhiqet vëmendja në çështjen për dhunën ndaj grave. KB-ja i kushton kujdes të madh kësaj çështje, sepse dhuna ndaj grave është një shkelje e të drejtave të njeriut. Qëllimi është që njerëzit të bëhen të vëtedijshëm për këtë gjendje, por të bëhen të vetëdijshem dhe për atë që mund të bëjnë që të pengohet dhuna”, theksoi Vinton.

Ajo thotë se Maqedonia ka traditë të gjatë të shënimit të kësaj dite, por shton se vendi duhet të bëjë më shumë përpjekje me qëllim që tërë kjo të mos jetë simbolike, por me të vërtetë të implementohen vendimet e miratuara. Fillimi i fushatës do të shënohet jo rastësisht në Kuvend. Thekson se ky është akt simbolik, me të cilin bëhet e ditur se nga Kuvendi pritet që në afatin më të shkurtë të mundur të miratojë Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare, e njohur si Konventa e Stambollit.