Presidenti i Maqedonisë ende nuk po jep një përgjigje të drejtëpërdrejtë për dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re. Nga ana tjetër, LSDM thekson se ekzekutivi i ri do të formohet edhe pa mandatin e Ivanov.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov nuk ka dhënë ende asnjë përgjigje konkrete lidhur me letrën e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, në të cilën kërkon të mandatojë kreun e LSDM, Zoran Zaev për formimin e qeverisë së re. Presidenti është kthyer nga vizita në Turqi por nga kabineti i tij nuk ka asnjë njoftim se për mandatin. Në bazë të Kushtetutës, Ivanov është i obliguar të kthejë përgjigje në një afat prej 10 ditëve nga dita e marrjes së njoftimin për formimin e shumicës së re parlamentare. Ndërkohë ende nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare as vendimi i shumicës për zgjedhjen e Xhaferit në drejtim të kuvendit. Pavarësisht këtij fakti, kryeparlamentari i ri, në takime të ndryshme ka pritur ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Xhes Bejli dhe atë të Francës, Krisitijan Timonie. Me dy diplomatët, Xhaferi bisedoi për zhbllokimin e punës së Kuvendit, sulmet e dhunshme të së “enjtes së përgjakshme”.
Nga ana tjetër, LSDM hodhi poshtë zërat se kanë nisur bisedimet për ndarjen e posteve në qeverinë e re mes partive të koalicionit.
Oliver Spasovski, Deputet i LSDM: “Në lidhje me bisedat për formimin e qeverisë, fillimisht presim që Ivanov të dorëzojë mandatin siç duhet të ndodhë. Pastaj do të fillojnë bisedat për qeverinë e re mes partive që formojnë shumicën parlamentare. Pas kësaj mund të bisedojmë për postet”.
Ai më tej nënvizoi se asgjë nuk është e sigurtë përveç se Zoran Zaev është kandidat kryesor për të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re. LSDM paralajmëron se nëse Ivanov nuk jep mandatin, shumica parlamentare do veprojë njësoj si në rastin e kryetarit të kuvendit, duke formuar vetë qeverinë e re. Partia që drejtohet nga Zaev thekson se Ivanov do të mbajë përgjegjësi për të gjitha pasojat që mund të dalin nga një veprim i tillë.