Republika e Maqedonisë nuk kërkon që anëtarësimin në NATO ta marrë si dhuratë. Kjo nuk është e drejtë e fituar, por ky të jetë rezultat i përkushtimit, kritereve të përmbushura dhe stabilitetit të vazhdueshëm. Këtë e theksoi ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska në hapjen e takimit të ministrave të mbrojtjes të SHBA-së – Kartës së Adriatikut që sot po mbahet në Ohër. Shekerinska nga foltorja e theksoi vendosshmërinë e Qeverisë së RM-së për zgjidhje të problemeve të hapura të cilat deri më tani panevojshëm janë zvarritur, i kanë ngarkuar marrëdhëniet me fqinjët tanë, ndërkaq u imponuan si pengesa reale në rrugën tonë drejt integrimeve euroatlantike, përcjell Fol.

“Maqedonia ngadalë po del nga një periudhë e rëndë e shkaktuar nga kriza e prolonguar politike. Periudhë përplot me sfida, në të cilën qytetarët treguan maturi, pjekuri dhe kapacitet demokratik, dhe pa dyshim u deklaruan për drejtimin në të cilin dëshirojnë vendi i tyre të lëvizë dhe prioritetet strategjike”, theksoi Shekerinska.

Ajo e theksoi edhe fokusimin e vendit ndaj intensifikimit të kontributit të vazhdueshëm dhe pjesëmarrjes në nisma dhe forma të shumta të bashkëpunimit, me fqinjët, rajonin dhe partnerët.

“Vetëm me përpjekje të përbashkëta mund t’i mposhtim sfidat dhe kërcënimet ndaj vlerave në të cilat besojmë. Në atë kontekst besoj se pikërisht nga takimi i sotëm do të dalin ide dhe projekte të reja, me çka do ta thellojmë dhe avancojmë bashkëpunimin tonë”, konkludoi Shekerinska.

Para pjesëmarrësve në takim fjalim pati edhe kryeminsitri Zoran Zaev i cili përkujtoi se pikërisht Karta e Adriatikut ishte motivimi që i udhëhoqi vendet anëtare në një kohë rekorde t’i arrijnë standardet për anëtarësim në NATO, më pas duke shprehur keqardhje që Maqedonia në Bukuresht mbeti para derës së Aleancës për shkak të kontestit me Greqinë, pavarësisht vlerësimit të përgjithshëm se vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Ai vërejti se prej atëherë Maqedonia ishte shtyrë në procese regresive politike të cilat kulminuan me krizën më të rëndë politike në vend pas pavarësimit. Njëkohësisht ai e theksoi gatishmërinë për tejkalimin e problemit që e ka Greqia me emrin tonë, zgjidhja e të cilit do të mund të arrihet përmes ndërtimit të atmosferës pozitive në fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me fqinjin tonë jugor. Në takimin në Ohër marrin pjesë zëvendësndihmësi i sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Lora Kuper, ministra të mbrojtjes apo përfaqësues zyrtar të vendeve anëtare si Shqipëria, BeH, Kroacia, Maqedonia dhe Mali i Zi, si dhe minsitri i Mbrojtjes i Bullgarisë dhe ministra të mbrojtjes apo përfaqësues zyrtar të vendeve vëzhguese si Kosova, Serbia dhe Sllovenia. /Fol/