Maqedonia dhe Bullgaria sot në Strumicë nënshkruan Marrëveshje për bashkëpunim në turizëm. Dokumentin,  të cilin e inicuan ministrja bullgare e Turizmit Nikolina Angellkova dhe zëvendësministri i  Ekonomisë së Maqedonisë, Kire Naumov, mes tjerash, parashikon bashkëpunim intensiv, rritje të vizitave të ndërsjella turistike dhe pjesëmarrje të përbashkët në panairet turistike, përcjell Fol.

Shkupi dhe Sofja do të bashkëpunojnë edhe në promovimin e përbashkët të materialeve promovuese turistike në organizim dhe pjesëmarrje të konferencave, seminareve dhe ngjarjeve të tjera turistike, si dhe në paraqitjen e përbashkët në tregjet e treta.

Sipas të dhënave statistikore, në periudhën janar-shtator të këtij viti Bullgarinë e kanë vizituar më shumë se 413.000 qytetarë të Maqedonisë që është për 5,8 për qind më shumë se ajo periudhë e vitit të kaluar. Në nëntë muajt e parë të këtij viti mbi 319.000 bullgarë e kanë vizituar Maqedoninë që është rritje për 10,7 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Ministrat e mbrojtjes të Maqedonisë dhe të Bullgarisë, Radmilla Shekerinska dhe Krasimir Karakaçanov sot në Strumicë nënshkruan Protokoll për bashkëpunim në zbatimi e trajnimeve për pjesëtarët e ARM-së në shkollat ushtarake në Bullgari.

Protokolli parashikon trajnim praktik të ekuipazheve të tankeve në Bullgari, si dhe masa konkrete të tjera për intensifikimin e bashkëpunimit në mbrojtje. /Fol/