Avancim i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis Maqedonisë dhe Rusisë kanë dakorduar sot ministrat e bujqësisë Lupço Nikollovski dhe Aleksandar Tkaçov në takimin në Moskë.

Ministri Nikollovski, i cili po qëndron për vizitë zyrtare treditore në Federatën ruse, theksoi se Qeveria e Maqedonisë do të vazhdojë t’i mbështesë kompanitë e Maqedonisë në promovimin e prodhimeve bujqësore-ushqimore në tregun rus, përmes mbështetjes për pjesëmarrjen e tyre në panaire më të mëdha në Moskë siç është “Prodekspo” dhe “Bota e ushqimit”.

Nga ana e ministrit turk është theksuar që Maqedonia të vazhdojë me promovimin dhe pasurimin e asortimentit me prodhime të reja të Maqedonisë, për të cilat ka interes nga tregu rus.

Në pjesën e mbikëqyrjes fitosanitrare është biseduar edhe për ndihmën eksperte nga ana e Rusisë për inspektimin fitosanitar të Maqedonisë në pajtim me memorandumin e nënshkruar për bashkëpunim.

Eksporti i prodhimeve bujqësore të Maqedonisë në Rusi shënon rritje të vazhdueshme në vitet e fundit, ndërsa prodhimet bartëse janë pjeshkët, domatet, lakra, kumbullat dhe cigaret.

“Falë ngjarjeve promovuese, pritet asortimenti i prodhimeve bujqësore të Maqedonisë të pasurohet me prodhime të reja, siç janë verërat e Maqedonisë dhe prodhimet e qumështit. Eksporti i prodhimeve bujqësore-ushqimore nga Republika e Maqedonisë në Rusi në vitin 2017 arrin 30,2 milionë euro. Rusia është e interesuar për eksport të drithërave në Maqedoni, ndërsa më së shumti për eksport të grurit”, thonë nga Ministria e Bujqësisë.

Në kuadër të vizitës, ministri Nikollovski ka marrë pjesë edhe në Panairin për konsum të gjerë “Prodekspo” në të cilin sivjet prodhimet e tyre i paraqesin gjashtë kompani të Maqedonisë në organizim të Odës ekonomike Maqedoni-Rusi dhe mbështetje financiare nga Ministria me portofol.

Gjatë ditës së nesërme, ministri Nikollovski do të ketë takim pune me bashkëkryetarin e komisionit ndërqeveritar për bashkëpunim nga Federata ruse, Maksim Travnikov.

Në tetor të vitit të kaluar, ministri Nikollovski nga ana e Qeverisë  u emërua për bashkëkryetar të Komisionit ndërqeveritar Maqedoni-Rusi për bashkëpunim tregtar-ekonomik dhe shkencor-teknik midis Maqedonisë dhe Federatës ruse. /Fol/