Në vitin 2011 filloi dhe dështoi, kjo e thënë në mënyrë të shkurtër, është pasqyra e tentativës së fundit për numërimin e popullësisë në Maqedoni, shkruan Almakos.
Që nga numërimi i fundit ( 2002) kanë kaluar 15 vjet, ndërsa normalisht numërimi i popullsisë dhe shtëpive bëhet në çdo 10 vjet, pra Maqedonia është vonuar 5 vjet. Këtë e ka theksuar sot Piter Everaers, drejtor i bashkëpunimit ndërkombëtar të Eurostatit.
Sipas Everaers, numërimi i popullsisë nuk guxon të keqpërdoret për asnjë qëllim politik apo qëllime të tjera.

“ Metodologjia për zbatimin e regjistrimit është e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara dhe nuk guxon të jetë lëndë e tregtimit politik dhe shtrembërimit të parimit dhe mënyrës së kryerjes, apo me realizimin e çfarëdo qoftë qëllimeve të tjera që nuk kanë lidhje me një operacionin klasik statistik, sepse regjistrimi i këtillë në të ardhmen nuk do të pranohet nga ana e Eurostatit”- theksoi Piter Everaers, drejtor i bashkëpunimit ndërkombëtar të Eurostatit.

Ndërsa së fundmi, ekspertët janë shprehur për mediat në vend se vetëm nëpërmjet regjistrimit të popullsisë bëhet i mundur sigurimi i të dhënave në bazë të të cilave do të mund të zbatohen politika më të sakta.

“Vazhdimisht dëgjojmë se popullata plaket, megjithatë nuk e dimë saktë ku dhe sa. Këto parametra, këto të dhëna do të mundësojnë të gjitha planifikimet tjera në shtet: Ku duhet të ndërtojmë shkollë; Ku duhet të ndërtojmë çerdhe; Ku duhet të ndërtojmë rrugë; në sferën e bujqësisë- Ku duhet të investojmë në mekanizimin, dhënien e subvencioneve; në sferën e ndërtimit të shtëpive-ku, sa dhe çfarë ka, e kështu me radhë”- është shprehur para pak kohësh demografi Donço Gerasimovski, për mediat në vend.

Si kategoria me kontestuese dhe problematike në procesin e regjistrimit të popullësisë është cilësuar ajo e personave të cilët punojnë jashtë vendit.

Piter Everaers thotë se regjistrimi duhet zbatuar në këtë mënyrë.

“ Si rregull i përgjithshëm, popullata e zakonshme e banorëve është përcaktuar nga ata persona që kanë vend të zakonshëm qëndrimi në vend në kohë referuese banimi dhe jetojnë ose kanë qëllim që të jetojnë aty për një periudhë prej të paktën 12 muajsh. Kjo përfshin edhe personat që konsiderohen përkohësisht të papranishëm, ndërsa janë përcaktuar si “persona që zakonisht jetojnë në vendin e regjistrimit, por mungojnë ose pritet që të jenë të papranishëm në kohën referuese për një periudhë më pak se 12 muaj”. Kjo është e kundërta me ata persona të cilët konsiderohen si përkohësisht të pranishëm, që nënkupton personat që nuk jetojnë ose që pritet të jetojnë në vendin e regjistrimit të paktën 12 muaj nuk duhet që të konsiderohen si pjesë e popullatës të zakonshme të banorëve”- thotë eksperti i Zyrës Evropiane të Statistikave, Piter Everaers.

Sipas tij, Eurostat synon jo vetëm, të jetë mbikqyrës i procesit të regjistrimit të ardhshëm, por të jetë aktiv edhe nëpërmjet pjesmarrjes në terren.

Sa i përket kësaj çështje, Dragi Rashkovski , Sekretar në Qeverinë e re ka thënë për mediat se Qeveria aktuale planifikon të realizojë regjistrimin e popullsisë, por se për realizimin e të njejtës duhet kohë dhe resurse./Almakos