Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq tha gjatë emisionit “Top Tema” në TV Telma se, Qeveria dëshiron t’i fillojë negociatat me BE-në, por jo me çdo çmim dhe jo në dëm të interesave shtetërore gjatë zgjidhjes së kontestit me Bulgarinë.

Ai potencoi se, muaji qershor si vendimtar për marrjen e datës është përmendur nga BE, për shkak të situatës gjeopolitike me luftën në Ukrainë.

“BE është ajo e cila nën presionin e situatës gjeopolitike, filloi e para të komunikojë qershorin si datë dhe komesari Varheji dhe zëdhënësit zyrtarë të BE-së. Ajo do të thotë se ka ndonjë ndjenjë të urgjencës në BE. Megjithatë, ne nuk kemi për qëllim të bëjmë hap i cili do t’i dëmtonte interesat tona”, tha Mariçiq.

Ai tha se, dëshirojnë t’i fillojnë negociatat me marrëveshje fer, e cila nuk do ta cenojë dinjitetin dhe identitetin tonë. Mariçiq shtoi se, në këto kohëra kur në tokën e Evropës ka sërish luftë, e pamë se çfarë do të thotë dhe dha është e rëndësishme NATO-ja për sigurinë e rajonit.

“Maqedonia e Veriut nuk duhet të devijojë nga rruga evropiane dhe ai synim i yni duhet të jetë këmbëngulës sepse ne e dimë pse duam aty, pse duam çfarë shteti duam të ndërtojmë dhe e dimë se meritojmë të jemi anëtare të BE-së”, tha ai.

Komisioneri i BE-së për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë Oliver Varheji pas takimit që realizoi të premtën (20 maj) me liderët bullgarë – presidentin Rumen Radev, kryeministrin Kiril Petkov dhe ministren e jashtme bullgare Teodora Gençovska, ta se pret që në afat prej tre javësh Sofja të pajtohet për fillimin e procesit të negociatave me Shkupin.

“Për tre javë do të kthehem në Sofje për të gjetur gjuhë të përbashkët dhe mbështetje nga Bullgaria për të filluar procesin e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut në qershor”, shkroi në Twitter komisioneri i BE-së Oliver Varhei pas takimit me kryeministrin bullgar Petkov.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.