Ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu akoma nuk e di shkakun e vendimit të autoriteteve turke për prishjen e marrëveshjes për njohjen e diplomave me Maqedoninë, të arritur në vitin 1998, edhe pse nga ministria e Punëve të Jashtme në Shkup thanë se bëhet fjalë, vetëm për një mase ligjore që bazohet në Konventës së Lisbonës, një marrëveshje shumëpalëshe që e rregullon njohjen e diplomave të arsimit të lartë në Evropë.

  Duhet të na e thotë vetë shteti turk pse ka marrë një hap të tillë. Me siguri duhet të kenë ndonjë arsye ose janë duke i riparuar marrëveshjet e vjetra – tha Pishtar Lutfiu, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Luftiu përjashton mundësinë që vendimi të jetë rezultat i mos mbylljes së kolegjit gylenist “Jahja Kemal” në Shkup, të cilën Turqia zyrtarisht e kërkoi kohë më parë.

 Turqia i ka manitë e veta brenda vetë shtetit dhe ne sigurisht kemi qëndrimet tona sa i përket shkollave dhe njësive të arsimit në republikën tonë. Nuk besoj se kjo do të ishte një temë me të cilën tashmë Turqia duhet të merret – shtoi më tej Pishtar Lutfiu.

Ministri Lutfiu nuk saktësoi nëse do të ketë ndonjë marrëveshje të re për njohjen e diplomave, por tha se studentët e Maqedonisë që do të studiojnë në Turqi do të duhet thjeshtë t’i nostrifikojnë diplomat, ndërsa nuk beson se studentët turq me diploma të Maqedonisë do të kenë problem kur të kthehen në vendlindje.
Udhëheqësit e kolegjit “Jahja Kemal” nuk u prononcuan për Alsat, pasi akoma nuk e kanë të qartë se për çfarë saktësisht bëhet fjalë. Alsat po pret përgjigje nga Ambasada e Turqisë në Shkup se pse qeveria turke anuloi marrëveshjen për njohjen reciproke të diplomave, cili do të jetë fati i studentëve të shkëmbyer dhe çfarë do të ndodhë me marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve në sferën e arsimit./Alsat-M