Propozim-ligji për Arsim të Lartë, në formë që është aktualisht – ka nevojë për intervenime të shumta, duke nis nga mënyra se si e rregullon mënyrën e funksionimit të institucioneve të arsimit të lartë, zhvillimin e tyre, punën kërkimore, zgjedhjen e profesorëve dhe organet drejtuese, mekanizmat e kontrollit të cilësisë, e kështu me radhë, shkruan gazeta KOHA.

“E parë në përgjithësi, Propozim-ligji është kthim në Ligjin e 2008-ës”, shprehet profesori universitar Bashkim Ziberi, i cili është edhe anëtarë i Këshillit të Akreditimit dhe Evaulimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Maqedoni (KAE). Nisur nga ndryshimet e shumta që ka pësuar Ligji në të kaluarën e për çka është tepër konfuz, ishte koha e fundit që në Maqedoni të nxirret një Ligji i ri, gjithëpërfshirës dhe kërkues në cilësinë e arsimit të lartë.

“Prandaj mendoj se paralelisht me këtë Ligj, të përgatitet edhe Ligji për Veprimtari Shkencore dhe Ligji për Inovacione, me qëllim që të jenë në harmoni njëri me tjetrin”, pohon ai, ndërsa ka vërejtje edhe për mënyrën se si është konceptuar administrimi i institucioneve të pavarura profesionale.

Sikurse pritej me Propozim-ligjin e arsimit të lartë, institucioni i KAE do të kthehet siç ka qenë deri 2015-ën, në Këshill të Akreditimit dhe Këshill të Evaulimit, ndërsa në mbikëqyrje të punës së këtyre dy institucioneve dhe gjithë sistemit të arsimit të lartë – do të krijohet një Këshill Nacional për Arsimin e Lartë (KNAL). Profesor Ziberi thotë se nuk ka asgjë të keqe nëse kjo shihet si plotësim i mekanizmave të kontrollit. Mirëpo, shqetësuese sipas tij, është varësia që do të kenë të tre këto institucione nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Në mbledhjen e 11 janarit kur KAE diskutoi tekstin e Propozim-ligjit, thotë është përshëndetur ideja e themelimit të KNAL-së, por problemi qëndron te modeli i funksionimit.

“Propozim-ligji realisht i jep kompetenca të zgjeruara këtij Këshilli, por duhet të bëhet kujdes te predispozitat e funksionimit të tij. Nuk do të ketë pavarësinë që do të duhej ta kishte, pra nuk është një subjekt juridik. Do të themelohet nga Parlamenti, do të ketë anëtarë të zgjedhur të tij, por nuk do të ketë një buxhet të vetin. Në njërën prej pikave për funksionim e tij e KNAL-së, thuhet se çështjet administrative teknike do ti kryejë administratat e MASH-it. E njëjta gjë do të vlejë edhe për KA-në dhe KE-në, që do të thotë se po vendoset një kontroll mbi këta institucione, të cilat duhet të jenë të pavarura nëse dëshirojmë që të jenë të pavarura edhe profesionalisht”, pohon Ziberi. Jo më pak shqetësuese, sipas tij, janë kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të KNAL-së, për të cilët mjafton që të jenë vetëm profesorë ordinarë dhe nuk mbahet llogari as për performancën shkencore dhe as për përvojën ndërkombëtare.

“Mendoj se është një kriter jashtëzakonisht i ulët, aq më tepër ku tani e një kohë të gjatë sistemi i arsimit të lartë ka dalë prej kontrollit dhe si rezultat i kësaj – është shumë e diskutueshme edhe mënyra e marrjes së gradave akademike. Jemi dëshmitarë të mosfunksionimit të sistemit të meritokracisë në këtë drejtim dhe, të vendosësh kriter zgjedhje të anëtarë të KNAL-së vetëm gardën ‘profesor ordinar’ – është gabim. Në këtë Këshill duhet të zgjidhën ‘më të mirët e më të mirëve’, sepse është fjala për një institucion kupolë të arsimit të lartë”, shpjegon ai.

Një e metë tjetër thotë se është mënyra e delegimit të anëtarëve.

Në propozim-ligj thuhet se do të jenë gjashtë anëtarë, të cilit i propozon Konferenca Ndëruniversitare, mirëpo nuk saktësohet se nga cilat universitete. Në këtë Konferencë bëjnë pjesë anëtarë të rreth 20 universiteteve, ndërsa edhe më kontestuese për profesor Ziberin është kriteri i emërimit të anëtarëve për institucionin e KA-së dhe KE-së. “Kërkohet që anëtarët (nga 6 secila) të zgjidhen në bazë të numrit të studentëve që regjistrojnë studentët në vitin e parë akademik. Ky nuk është kriter që duhet vendosur për zgjedhjen e anëtarëve. Por thjeshtë, do ti bëjë universitetet të vrapojnë pas studentëve, në mënyrë që të mund të hyjnë në 6-shen e parë”, shprehet ai. Ideja të paktën në dukje e mbajtjes në kontroll politik të institucioneve që realisht duhet të jenë të pavarura, rrezikon që ti kthejë KA-në, KE-në dhe KNAL-në në “satelitë” të MASH-it, që në instancë të fundit – është institucion politik.

Ziberi shpeshon se këto vërejtje, të cilat i janë dërguar MASH-it edhe në formë të shkruar – do të merren parasysh nga Komisioni për hartimin e Propozim-ligjit dhe se të njëjtët do të inkorporohen në variantin final të Ligjit të arsimit të lartë, me qëllim që ligji i ri të reflektojë kujdesin e duhur për nivelin e cilësisë në pjesën që ka të bëjë me institucionet kupolë të cilësisë së arsimit.

Ka padyshim dhe shumë segmente të tjera, të cilat lënë hapësirë kontestimi dhe për të cilat duhen debate konstruktive. Natyrisht që ka edhe ndryshime pozitive në këtë Propozim-ligj, një prej të cilave është edhe ndarja e Rektoratit nga Senati. Pra, Rektori i një universiteti nuk mund të jetë edhe kryetar i Senatit, mund të merr pjesë në mbledhjet e Senatit, por jo edhe të ketë të drejtë vote. Me këtë, universitetet fitojnë një lloj pavarësie të munguar prej kohësh. Por, jo pak vend për diskutim do të hap mënyra e zgjedhjes së Rektorit, si dhe kriteret që duhen përmbushur për një karrierë të tillë, apo edhe “rregullat e reja” për organizmin e studimeve të ciklit të tretë. (koha.mk)