Gabimi njerëzor, kushtet e këqija në rrugë dhe sinjalistika në komunikacion janë pistat të cilat po hetohen për momentin si arsye për fatkeqësinë e rëndë. Kryeprokurori, Lubomir Joveski në emisionin “Klik Plus” tha se pista për “akt terrorist” është përjashtuar.

“Dëgjuat nga prokurori se përjashtohet mundësia për akt terrorist dhe këtë me siguri nuk e thotë sipas përshtypjeve personale, por e thotë, supozoj dhe e di, mbi bazë të ekspertizës së kryer në këtë pjesë. Në qoftë se bëhet fjalë për akt terrorist, kjo mund të vërtetohet shumë lehtë. Do të kishte mbetje nga eksplozivi në ndonjë pjesë të autobusit ose trupave”, tha Lubomir Jovevski, prokuror republikan.

Kryeprokurori, duke u thirrur në informacionet fillestare nga homologët e tij bullgarë, e përjashton mundësinë që fuçitë me karburant të kontrabanduar të jenë arsye për zjarrin që shpërtheu në autobus. Siç thotë, janë gjetur fuçi, por sipas ekspertizës, ato ishin bosh dhe ndodheshin në pjesën e pasme të autobusit, pjesë të cilën më pak e ka përfshirë zjarri.

“Është e pakontestueshme se ka pasur tuba plastik për karburant, por ato ishin boshe dhe fare nuk ishin kapluar nga zjarri”, theksoi Lubomir Jovevski, prokuror republikan.

Parregullsi ka pasur edhe në dokumentacion. Autobusi i djegur nuk ka poseduar licencë, prandaj parashtrohet pyetja – si ka arritur ta kalojë kufirin?!

“Drejtoria Doganore, zyrtarët doganorë, janë ata që kanë për detyrë t’u kërkojnë licencë këtyre automjeteve. Në qoftë se nuk posedojnë licencë, atëherë duhet ta ndalojnë mjetin dhe menjëherë ta informojnë Inspektoratin Shtetëror të Transportit. Inspektorati do të veprojë dhe vetëm ai është i autorizuar të shqiptojë dënim mandator, gjegjësisht padi kundërvajtëse kundër autorëve të një vepre të tillë penale, gjegjësisht të mos lejojnë që automjeti të dalë jashtë vendit”, tha Vlladimir Pivovarov, koordinator nacional për menaxhimin e kufijve.

Asnjë nga autobusët e kompanisë “Besa Trans – Shkup” nuk ishte regjistruar në mënyrë elektronike në sistem kur e ka kaluar kufirin e Maqedonisë. Këtë e pranoi edhe u.d. drejtoresha e Drejtorisë Doganore, Sllavica Kutirov për TV24. Sipas deklaratave të doganierëve, atë natë sistemi ka funksionuar ngadalë dhe nuk kanë arritur t’i regjistrojnë automjetet që kanë kaluar. Paraprakisht, nga Dogana kumtuan se janë suspenduar dy doganierë të cilët ishin në turn atë natë. Në ndërkohë, po vazhdon edhe hetimi për atë që autobusi nuk ka pasur licence për punë.