Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari paralajmëroi se hapin e parë që do ta ndërmarrë si ministër do të jetë heqja e masës së pagesës së mjekëve sipas kontributit, që ishte aplikuar nga ish-ministri Nikolla Todorov.

Përveç kësaj, ministri Taravari do të heq edhe drejtorët ekonomik nëpër spitale dhe Klinikat e Shkupit.

“Nuk ka nevojë për dy drejtorë, sepse punën e tillë e kryejnë administratorët. Nuk kemi para për luks. Paratë që deri tani janë dhënë për këta drejtor do të jenë shpërblime për 3 – 4 mjekë më të mirë në çdo klinikë”, theksoi Taravari.

Momentalisht supozohet se BDI ka mbi 30 drejtorë ekonomikë nëpër spitale dhe nuk dihet fati i tyre pas shkarkimit, në qoftë se Taravari nuk bëhet pishman ndërkohë. Funksioni drejtor ekonomik zatën ishte shpikur për strehim të militantëve partiakë.

Ai tha se menjëherë do të fillojë me përgatitjen e Ligjit për mbrojtje shëndetësore, pasi që i deritanishmi është konfuz. Ai paralajmëron strategji 10 vjeçare në shëndetësi.