Policia Financiare ka iniciuar procedurë penale ndaj një personi nga Struga dhe kompanisë që ai administron, nën dyshimin për shmangie tatimore.
Sipas kallëzimit të dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike në Strugë, B.Z., si pronar dhe administrator i subjektit, dyshohet se nuk ka deklaruar dhe paguar detyrime tatimore në përputhje me ligjin.
Gjatë kontrollit financiar për vitin 2025 janë konstatuar detyrime të papaguara në vlerë prej 30.946.170 denarësh. Autoritetet dyshojnë se këto detyrime nuk janë përfshirë në mënyrën e duhur në bilancin tatimor, duke bërë që të mos llogaritej tatimi mbi fitimin në vlerë prej 3.094.617 denarësh.
Në kuadër të kontrollit janë evidentuar edhe hua të dhëna personave fizikë, në vlerë prej 14.254.665 denarësh. Për këto shuma, sipas Policisë Financiare, nuk është bërë trajtimi i duhur në bilancin tatimor dhe nuk është paguar tatimi mbi fitimin prej 1.425.467 denarësh.
Në total, dëmi i dyshuar ndaj Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut arrin në 4.520.084 denarë.
Lënda i është dorëzuar Prokurorisë Themelore Publike në Strugë, e cila pritet të ndërmarrë hapat e mëtejshëm në lidhje me rastin.

