Komuna e Çairit pritet që javën e ardhshme të nisë punimet për ndërtimin e bulevardit “Mit’hat Frashëri”, një nga projektet kryesore infrastrukturore të komunës.
Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, kanë inspektuar sot segmentin ku do të zhvillohen punimet.
Projekti parashikon ndërtimin e mbi 1.4 kilometrave rrugë, nga rruga “Xhon Kenedi” deri te bulevardet “Sllovenia” dhe “Bosnja e Hercegovina”. Bulevardi do të ketë katër korsi qarkullimi, trotuare, shtigje për biçikleta, kanalizim atmosferik dhe ndriçim të ri publik.
Mexhiti tha se projekti do të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit dhe infrastrukturës në këtë pjesë të Çairit, duke theksuar se punimet janë gati për të nisur.
“Një nga një po i realizojmë projektet që ua kemi premtuar qytetarëve dhe kështu do të vazhdojmë edhe më tej, projekt pas projekti, deri në përmbushjen e plotë të zotimeve tona”, deklaroi Mexhiti.

