Mësimdhënës dhe nxënës nga vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përfshirë në zhvillimin e procesit arsimor kundër nacionalizmit, urrejtjes dhe intolerancës.

“Në kuadër të iniciativës, gjithsej 30 shkolla të mesme nga Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Serbia, Kosova dhe Mali i Zi, organizuan 60 aktivitete për shkëmbimin e përvojave përmes rrjetëzimit të mbi 800 nxënësve të moshës prej 15 deri në 17 vjeç. Në aktivitete u përfshinë mbi 100 mësimdhënës”, raportojnë nga Ministria për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut.

Ky projekt planifikohet të zgjasë deri në mars të vitit 2024.

“Nëse tek të moshuarit ndryshimi është më i vështirë, është e sigurt se do të mund të ndikojmë sistematikisht te të rinjtë, gjegjësisht ndërmjet vendosjes korrekte të sistemeve arsimore kombëtare dhe me mbështetjen e mjaftueshme të sektorit civil. Patjetër që ata t`i mësojmë të orientohen drejt dialogut, ndërtimit të paqes dhe respektit më të madh të ndërsjellë”, deklaroi ministri Jeton Shaqiri.

Ai mori pjesë në një manifestim të zhvilluar në Strugë për këtë nismë të zbatuar nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor dhe Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar.