Për më pak se një javë do të fillojë faza e parë regjistrimit të popullsisë. Qeveria është e vendosur, ndërsa Enti Shtetëror i Statistikës ka thënë se është gati për të nisur realizimin e këtij operacioni. Të hënën më 1 mars, një muaj para regjistrimit të përgjithshëm, do të fillojë regjistrimi i disa kategorive si pjesëtarët e Armatës, të punësuarit në përfaqësitë diplomatike konsulare dhe familjarët e tyre, të burgosurit, personat e pastrehë si dhe shtetasit që jetojnë jashtë vendit.

Dushko Arsovski, zëdhënës i Qeverisë

“Regjistrimi përfundimisht do të realizohet në muajin prill. Metodologjia është definuar, vijojnë të gjitha përgatitjet. Nga data një fillon regjistrimi i popullatës jo rezidente. Ky operacion statistikor do të realizohet”

Të njëjtën përmes një postimi në Facebook e ka njoftuar edhe Ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq i cili ka ftuar partitë që energjitë e tyre t’i fokusojnë në përparimin e vendit dhe jo të kundërtën. Ai ka thënë se regjistrimi që për pjesën më të madhe të popullsisë fillon më 1 prill është në përputhje me standardet e Eurostat.

Bojan Mariçiq

“Ajo që është më e rëndësishme është se Eurostat në mënyrë të drejtëpërdrejtë ka konfirmuar se Ligji për regjistrim dhe metodologjia janë në përputhje me legjislaturën e evropiane, gjegjësisht standardet më të larta për realizimin e një operacioni të tillë statistikorë”

Ndërkohë Enti Shtetëror për statistikë ka shpallur edhe konkurs për regrutimin e stafit që do të angazhohet në realizimin e regjistrimit. Në këtë operacion do të përfshihen 5.055 regjistrues dhe 506 instruktorë rajonal të cilët muajin e ardhëshëm do të trajnohen për plotësimin e aplikacioneve të regjistrimit. Ata do të trajnohen nga 150 instruktorë shtetëror të cilët pritet të bëhen gati gjatë kësaj jave, ndërsa Enti për Statistikë ka thënë se është mirë që stafi i regjistrimit të jenë edhe në grupin e parë të personave që do të marin vaksinën kundër virusit Kovid19.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja vijon grumbullimin e nënshkrimeve kundër ligjit në fuqi për regjistrimin e popullsisë. Opozita kërkon shtyrjen e këtij operacioni për vitin e ardhshëm ose i njëjti të realizohet në formë elektronike, si dhe me gjurmë të gishtërinjve. Por nga Qeveria kanë përsëritur disa herë se këto nënshkrime nuk do të kenë fuqi as ta shfuqizojnë ligjin e as ta shtyjnë operacionin. Regjistrimi i popullsisë do të fillojë nga 1 marsi me kategoritë e veçanta dhe nga 1 prilli për pjesën më të madhe të popullsisë të cilët do të regjistrohen brenda 20 ditëve. Popullsia do të klasifikohet në tre kategori, ajo rezidente, jo rezidente dhe popullsia e përgjithshme ku do të hyjnë të regjistruarit nga dy kategoritë paraprake.