Videoja e një polici të bardhë amerikan që i kishte vënë gjurin në qafë një afrikano-amerikani, i cili vdiq gjatë arrestit, u përhap me shpejtësi përmes medias sociale. Videoja u bë symbol i reagimit të ashpër të forcave të rendit kundër popullatës me ngjyrë. Vështirë që një akt i tillë do të kishte tërhequr kaq vëmendje nëse videoja nuk do të ishte parë nga një numër i madh përdoruesish të medias sociale. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jesusemen Oni njofton:

Nga mbarë vendi erdhën thirrjet për drejtësi pas përhapjes së një numër videosh me pamje nga përballja mes individëve të bardhë me afrikano-amerikanë. Kohët e fundit dy incidente të tilla patën përfundim fatal.

“A duhet të jetë e pranueshme që afrikano-amerikanët të ngacmohen, sulmohen me fjalë thjesht se po bëjnë akte normale? Duhet të pyesim veten përse askush nuk e beson personin me ngjyrë kur tregon si rrodhën ngjarjet. Përse duhet që ta shohësh në video që njerëzit të fillojnë ta kuptojnë e ta marrin seriozisht faktin se policët përdorin forcë të tepruar kundër afrikano-amerikanëve. Ky është momenti që të gjithë të ndalemi e të reflektojmë,” thotë Andra Gillespie e Universitetit Emory.

Incidente nga më të ndryshmet që nga forcë e tepruar policore, deri tek një konflikt mes një gruaje të bardhë e një burri afrikano-amerikan, apo tek videoja e vrasjes së një afrikano-amerikani kur kishte dalë për vrap në një lagje të Xhorxhias.

Në Mineapolis, videoja u xhirua nga kalimtarë që kapën momentin kur një polic mban të mbërthyer me gjurin tek qafa e një personi me ngjyrë për pesë minuta radhazi, ndërsa ai lutet se nuk merr dot frymë. 46-vjeçari, George Floyd, vdiq më pas.

Tiffany Cofield, një shoqe e tij e ngushtë, shpreh mirënjohje për atë që regjistroi videon:

“Do të ishte fshirë nën rrogoz, policia do të kishte thënë se ai po sillej në mënyrë agresive, se ishte një afrikano-amerikan i dalë jashtë kontrollit. E kam njohur prej kohësh, ai nuk ishte i tillë”.

Kjo video e marrë me celular në shkurt kapi reagimin e dy personave të bardhë, babë e bir që ndjekin nga pas Ahmaud Arbery, një afrikano-amerikan që kishte dalë për vrap por ata mendojnë se mund të jetë grabitës.

Ahmaud Arbery shihet duke u rrëzuar përtokë pasi qëllohet me armë. Babë e bir janë tani në burg.

Dhe një video nga parku qendror në Nju Jork. Asgjë e dhunshme nuk ndodh, por shihet një vajzë e re e bardhë që thërret policinë për të paditur një burrë afrikano-amerikan se po i kërcënon jetën.

Pak më parë burri i kishte kërkuar asaj të lidhte qenin në bazë të rregullave të parkut. Gruaja reagon duke thirrur policinë:

“Po më kërcënon një burrë afrikano-amerikan në park. Ju lutem dërgoni menjëherë policët,” thotë gruaja duke i telefonuar policisë.

Të gjithë incidentet, sidomos ata që përfunduan me vrasje, kanë rindezur debatet për racën, dhunën dhe metodat policore në këtë shoqëri, ndërkohë që videot e përhapura përmes medias sociale rezultojnë në protesta masive.

Vdekja e George Floyd është dënuar nga figura të njohura, politikanë dhe organizata të forcave të rendit, që kur u shfaq videoja në median sociale.

“Ideja se ka individë që marrin rolin e gazetarit të rastit, edhe nëse nuk ka kamera të montuara në uniformën e policit, apo kamerat e sigurisë që ndodhen në skenën e ngjarjes, të gjitha këto ndihmojnë për të zbuluar rrethanat e vërteta dhe për të vënë në vend drejtësisë,” thotë zonja Gillespie e Universitetit Emory.

Ndërkohë që vazhdojnë thirrjet për ngritjen e akuzave ndaj katër policëve të përfshirë në rastin e George Floyd në Mineapolis, në rrugë vazhdojnë protestat dhe celularët presin gati për të kapur çdo incident.