Për të shtatin vit radhazi kancelarja gjermane, Angela Merkel u cilësua si gruaja më e pushtetshme në botë nga revista “Forbes”.

“Merkel fitoi këtë vit zgjedhje shumë të mundimshme, të cilat sollën ekstremin e djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) të hyjë në Bundestag”, thotë Forbes në një deklaratë të shkruar.

“Ajo duhet të vazhdojë të mbahet fuqishëm në timonin e BE-së pasi pritet të përballet me stuhitë nga Brexit dhe rritjen e ndjenjës kundër migrantëve në Evropë”, thuhet në këtë deklaratë.

Kryeministrja britanike, Theresa May zuri vendin e dytë në këtë klasifikim, ndërsa Hillary Clinton, e cila ishte gruaja e dytë më e pushtetshme në vitin 2016, ka rënë në vendin e 63-të pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale përballë Donald Trump.

Vajza e Trumpit, Ivanka, e cila shërben si këshilltare për Shtëpinë e Bardhë në administratën e tij, renditet e 19-ta në listë, ndërsa ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley është në vend të 43-të.

Melinda Gates e Fondacionit Gates, Sheryl Sandberg e “Facebook” dhe Mary Barra, drejtoresha e “General Motors”, zënë respektivisht vendin e tretë, të katërt dhe të pestë.