Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, ka evokuar kujtime nga koha kur ai ishte presidenti i fundit i Jugosllavisë, e cila po shkonte drejt fundit.
Ai gjatë Takimit të Madh të Prishtinës për integrimet ndërshqiptare e ndërballkanike, ka bërë përgjegjës ish-kasapin e Ballkanit Sllobodan Millosheviç për të gjitha viktimat e shkaktuara në Kroaci, Bosnje e Kosovë.
Mesiç ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç po i vazhdon politikat e Sllobodan Millosheviçit për krijimin e “Serbisë së Madhe”, e cila sipas tij nuk mund të bëhet kurrë, raportojnë mediat e Kosovës.
“Ende ka nga ata që si Millosheviçi duan të bëhet Serbia e Madhe, por unë ju them se ajo nuk mundet të bëhet. Për të gjithë ata që mendojnë që Serbia mundet të bëhet një shtet i madh, unë ju them që Serbia është një shtet i vogël në Ballkan”, tha Mesiç.
Takimi PanShqiptar- NdërBallkanik- EuroAtlantik me tematiken” Histori- Identitet- Integrim”, u mbajt në kuadër të 25-vjetorit të luftës legjendare të UÇK-NATO dhe lirisë së Kosovës në Prishtinë, me mbi 600 të ftuar nderi.