Sot shënohet 8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë, që përkon me 29-vjetorin e vendosjes së pluralizmit në Shqipëri. Nga viti 2009, me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.

Disa ditë më parë, kreu i shtetit Ilir Meta kishte lajmëruar se në këtë ditë do të zbriste ne shesh për të kërkuar referendum popullor për ndryshimin e Kushtetues. Por me tërmetin e 26 nëntorit ndryshoi dhe axhenda politike e Presidentit të fortë që la pas viktima e shkatërrim.

Sot, përmes rrjeteve sociale ai nisi një mesazh për të gjithë të rinjtë e angazhuar vullnetarisht përgjatë ditëve të tërmetit.

Meta shkruan se ashtu si 28 vite më parë të rinjtë duhet të marrin në dore fatet e atdheut për të udhëhequr proceset demokratike për ndërtimin e sigurt dhe evropianizimin e plotë të Shqipërisë.

“Ju inkurajoj dhe ju mbështes, që në shembullin e të rinjve dhe të rejave, të cilët 29 vite më parë vërshuan në rrugët e sheshet e Tiranës për ta ndarë Shqipërinë nga errësira dhe izolimi, të merrni në dorë, falë shpirtit të lirë, energjisë, guximit, kurajës dhe idealeve të pastra, fatet e atdheut tonë, duke udhëhequr proceset demokratike për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt dhe evropianizimit të plotë të Shqipërisë. Nderim përjetë veprës së liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdarit dhe të gjithë studentëve të Dhjetorit ’90!”, shkruan mes të tjerash Meta në faqen e tij në Facebook.

Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të Qytetit Studenti, u bënë protagonistë të kthesës historike. Protestat paqësore sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.

Ata i dhanë fund epokës së gjatë të vetizolimit dhe sundimit ideologjik dhe hapën kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.