Në fjalën e tij para Struganëve, kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, kritikoi ashpër improvizimin e formimit të Qeverisë që krerët e “Frontit Europian” në krye me Ali Ahmetin e bënë sot në një hotel të Shkupit. Mexhiti tha se populli i ka votuar për të bërë politikë në Kuvend, ndërsa ata shkojnë, siç tha, në sallon të darsmave dhe bëjnë teatër të kukullave.

“E kanë humbur busullën politike sepse populli ua jep votën që ta bëjnë politikën në Parlament, ata e bëjnë në Aleksandar Palace. Si asnjëherë më parë shqiptarët s’kanë pasur më shumë ministra, më shumë pozita, ndërsa ata në vend se të punojnë më shumë për problemet e qytetarëve, për avancimin e çështjes shqiptare, ata nëpër ato zyre luajnë futboll dhe basketboll”, deklaroi Mexhiti.

Sipas tij, BDI-ja dhe “Fronti Europian” po i numërojnë 20 ditët e fundit të pushtetit e jo 20 deputetët që eksponentët e BDI-së mburren me arrogancë se do t’i fitojnë më 8 maj.