Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski sot nga selia e partisë ka thirrur në protestë mbarëkombëtare që do të mbahet nesër në ora 19 në pllajën para Qeverisë, me qëllim që, siç tha ai, të mbrojë atë që quhet vlerë evropiane dhe për të shpëtuar procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.

“VMRO-DPMNE do t’i bashkohet nismës së protestës. Unë bëj thirrje për një protestë mbarëkombëtare. I bëj thirrje të gjithë njerëzve nga e gjithë Maqedonia, por edhe nga jashtë, të bashkohen dhe të qëndrojnë pranë nesh dhe të mbrojmë atë që quhet vlerë evropiane dhe ta shpëtojmë procesin e negociatave”, tha Mickoski.

Duke komentuar propozimin e modifikuar francez, Mickoski tha se sipas propozimit, vendi nuk do të hap grupin e parë “fundamental” derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese të kërkuara me konkluzionet e Këshillit Evropian.

“Nuk do të kemi fillimin dhe hapjen e klasterit derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Në faqen 8, nga ana tjetër, nga propozimi është fshirë pjesa ku është shkruar pjesa për gjuhën në pjesën e parë, por qartë thuhet se Maqedonia nuk mund të fillojë procesin e negociatave deri në protokollin e takimit të dytë të komisionit të përbashkët ndërqeveritar, i cili u themelua në bazë të nenit 12 të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë që Qeveria jonë ka nënshkruar me fqinjin tonë lindor. Ai është protokolli që përmban historinë, kulturën, gjithçka që duhet bërë si ndryshim në tekstet tona shkollore”, sqaroi Mickoski.

“Një ultimatum i tillë për Maqedoninë – jo faleminderit. Tani është koha për të qenë të hapur, për të qenë të qartë, për të marrë anën e duhur. Ana e Maqedonisë dhe ana e popullit. Kjo qeveri po bën dëme të mëdha, sepse miratimi i një kornize të tillë do të thotë ose të asimiluar dhe bullgarizuar në BE ose të mbetemi gjithmonë jashtë BE-së. Unë nuk pranoj ultimatume me çmimin e dinjitetit të popullit dhe asnjëherë nuk do të pajtohem me të”, tha Mickoski.

Me keqardhje duhet të them, theksoi ai, se ky propozim përmban të gjitha kërkesat bullgare si në atë të historisë, ashtu edhe në atë të gjuhës dhe në atë të identitetit.

“Pranimi i këtij propozimi nënkupton e drejtë e plotë e Bullgarisë të ndryshojë libra dhe t’i shkruajmë sipas diktatit bullgar dhe fëmijët tanë në fillore të mësojnë siç dikton Bullgaria ose nuk ka të ardhme evropiane. Pranim se Goce Dellçev, Dame Gruev, Jane Sandanski dhe heronjtë e revolucionarët e tjerë kanë qenë bullgarë, se gjuha maqedonase është dialekt i bullgarishtes”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së