VMRO DPMNE është kundër ndryshimit të kushtetutës, nëse qëllimi do të ishte ndryshimi i emrit kushtetues të Maqedonisë. Lideri i opozitës Hristijan Mickovski në një intervistë për transmetuesin publik tha se partia e tij është jashtë procesit për emrin, sepse nuk është ftuar që të merr pjesë në përcaktimin e pozicionit në raport me kontestin për emrin. Për Mickovskin gjithashtu është e papranueshme çfarëdo zgjidhje pa referendum në të cilin fjalën e fundit do ta kishin qytetarët e Maqedonisë.

Kontestin që fqinji jonë jugor e ka me emrin tonë kushtetues, nuk përfshin vetëm ndryshimin e emrit, por ka disa shtylla që i përmendi Ministri i Punëve të Jashtëm grek, z. Kocijas, dhe i numëroi tetë. Pra, këtu ka shumë çështje identiteti, fjalë të nxjerra, mbiemra e kështu me radhë. Ajo duhet të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes fqinjit tonë jugor dhe Maqedonisë- deklaroi lideri VMRO DPMNE-së Hristijan Mickovski. 

Dhuna në Kuvend nga 27 prilli për Mickovskin është dëmi më i madh për interesat e VMRO DPMNE-së. Por, partia po përgatit një propozim ligj për amnistinë e një pjese të të dyshuarve.

Ne nuk po kërkojmë amnisti për njerëzit që janë kapur në flagrancë në dhunë, pra askush nuk e kërkon atë amnisti. Ne të parët e dënuam atë, në qoftë se ju kujtohet. Ligjin do ta prezantojmë para publikut, para se ta dorëzojmë në procedurë parlamentare- shtoi ai.

Mickovski nuk specifikoi, nëse kjo do të thotë kthim të partisë në Kuvend, dhe kur do të ndodh kjo.

Kryetari i VMRO DPMNE-së tha se pushteti dhe opozita në parlament formuan grupe pune për të diskutuar një pjesë të reformave për ligjet, por theksoi se do të mbështesin vetëm reformat për të cilat opozita do të konsiderojë se janë me interes për qytetarët./Alsat M/