Ministri i drejtësisë nga radhët e BDI-së, Valdet Xhaferi, sa i përket tërheqjes nga postet ministrore nga gjithë ministrat tjerë, thotë se nëse një gjë të tillë e vendos Ali Ahmeti dhe kryesia e BDI-së janë të gatshëm të tërhiqen.

Ky nuk është vetëm qëndrimi i ministrit të drejtësisë Valdet Xhaferi. Të njëjtën gjë e thonë edhe ministrat e tjerë të BDI-së që aktualisht janë pjesë e qeverisë ekzekutive. Që të lëvizin punët përpara, ministrat thonë se janë të gatshëm të japin dorëheqje, por për këtë vendim presin “Aminin” nga Reçica e Vogël, gjegjësisht nga lideri i tyre Ali Ahmeti, njofton TV21.

Nga ana tjetër, nënkryetari i BDI-së Nevzat Bejta thotë se dorëheqja eventuale e ministrave do të ishte e kotë, së paku deri në konstituimin e plotë të parlamentit.

Arsyeja e dytë se përse Bejta është kundër tërheqjes së ministrave, është se nuk dëshiron që i gjithë pushteti të mbetet në duar të Nikolla Gruevskit dhe OBRM-PDUKM-së, pasi që sipas tij, pikërisht kjo parti e ka futur vendin në krizë.

Por ndryshe thonë njohësit e të drejtës kushtetuese. Osman Kadriu të martën në Click Plus tha se i pranoi apo jo parlamenti dorëheqjet, ministrat e BDI-së duhet të tërhiqen.

Nga zgjedhjet e fundit parlamentare ka kaluar më shumë se katër muaj, ndërsa aktorët politik ende nuk kanë arritur që të krijojnë qeverinë e re. Ende nuk është zgjedhur as kryetari i ri i Parlamentit, sepse në shtëpinë ligjvënëse për disa ditë me radhë zhvillohen debate, kështu duke mos u vënë në rend të ditës zgjedhja e Komisionit për Emërtime dhe zgjedhja e kryetarit të Parlamentit. Debati në Kuvend do të kthehet pas mbarimit të festave të pashkëve.