Autoritetet austriake ia kanë ndaluar hyrjen në vend ministrit të Ekonomisë të Turqisë, Nihat Zeybekci, i cili po synonte të merrte pjesë në një tubim për ta shënuar përvjetorin e parë të tentim puçit të dështuar.

Një zëdhënës austriak ka thënë se vizita e ministrit turk do të përbënte rrezik ndaj rendit publik dhe sigurisë, transmeton Express.

Qeveria turke ende nuk ka komentuar rreth vendimit të Austrisë.

Marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve veçse janë të tensionuara, pasi Austria e ka kritikuar kundërpërgjigjen e qeverisë turke ndaj puçit të dështuar.

Më shumë se 50 mijë persona janë arrestuar dhe 140 mijë të tjerë janë larguar apo suspenduar gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në fuqi që prej tentimit ushtarak për ta marrë pushtetin më 15 korrik të vitit të kaluar.