Në Kuvend u mbyll debati për rritjen e pagës minimale për të cilën opozita kishte ankesa por nuk e pengoi atë. Sipas VMRO-DPMNE-së, bëhet fjalë për masë populiste për të fituar vota në zgjedhjet e ardhshme. Pushteti thotë se ky është një hap tjetër në drejtim të rritjes së pagave, gjë të cilën e kishin premtuar. Propozim/ndryshimi i ligjit u miratua me shumicë votash dhe vlen nga 1 dhjetori.

Kuvendi, në seancë plenare, debatoi për rritjen e pagës minimale dhe subvencionimin e kontributeve. Pushteti e cilëson atë si një hap tjetër drejt realizimit të premtimeve për rritjen e rrogave kurse opozita, si masë populiste parazgjedhore. Opozita më tej vlerëson se ky propozim/ndryshim bëhet pa analizë paraprake.

Ky ligj mund të nxisë veprime të pakëndshme tek disa ndërmarrje dhe në vend që të ndihmojmë punonjësit, ata të largohen nga puna. Shumë ekspertë ekonomik thonë se nëse nisemi nga fakti që rroga është një masë ekonomike atëherë niveli i rrogës varet nga faktorët ekonomik dhe jo nga vullneti politik, dhe mendojnë se ky ndryshim në këtë periudhë parazgjedhore është populizëm i pastër dhe është për blerjen e votave- deklaroi Vesna Pemova, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Është mirë që pajtoheni dhe që e pranoni rritjen e rrogës minimale meqë e dimë se keni qenë deputete më gjatë kohë dhe do të kishte qenë më mirë që në periudhën e kaluar deri sa kishit mundësi dhe pozitë, të kishit bërë rritje të pagës minimale. Mirë është që kjo qeveri e hapi spiralen e rritjes së rrogave jo vetëm të rrogës minimale por të rrogave në përgjithësi- tha Katerina Kuzmanovska, deputete e LSDM-së.

Paga minimale nga 12.500 denarë, do të jetë 14.500 denarë, ndërsa subvencionet nga shteti për kontributet do të sillen në përputhje me rritjen e pagave prej 600 deri më 6000 denarë. Për momentin, rreth 90 mijë qytetarë marrin rrogë minimale prej 12.500 denarë.